“Ndriçojmë futbollin”, një tjetër premtim i realizuar nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi
Futbolli i Kosovës po kalon nëpër një proces të rëndësishëm zhvillimi dhe modernizimi, ndërsa Federata e Futbollit e Kosovës po e zgjeron vazhdimisht gamën e projekteve që synojnë ngritjen e standardeve në të gjitha nivelet.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, po zbaton një tjetër zotim të dhënë në programin e tij, duke kaluar hap pas hapi nga çdo premtim në projekte konkrete.
VAR-i ishte një prej ndryshimeve më të rëndësishme në futbollin kosovar. Futja e teknologjisë së video-asistencës për gjyqtarët solli një standard të ri në organizimin dhe zhvillimin e ndeshjeve.
Pas tij, një tjetër hap i rëndësishëm ishte sigurimi shëndetësor për futbollistët, një masë që rritë sigurinë dhe mbrojtjen e lojtarëve gjatë angazhimit të tyre në futboll.
Por investimet nuk janë ndalur vetëm te ndeshjet dhe futbollistët.
Kampi Nacional në Hajvali është shndërruar në një prej pikave kryesore të zhvillimit të futbollit kosovar. Me hapësirat dhe kapacitetet e tij, ai po shërben për grumbullimet e kombëtareve, zhvillimin e ndeshjeve të Superligës, të aktiviteteve të ekipeve të reja, të Akademisë së FIFA-s, por edhe për trajnime dhe projekte të ndryshme të FFK-së.
Në të njëjtën kohë, FFK ka avancuar edhe në drejtim të fushave stërvitore për klubet, duke krijuar kushte më të mira për përgatitjen e ekipeve dhe zhvillimin e futbollistëve të rinj.
My FFK ishte projekti që digjitalizoi komplet ekosistemin e futbollit të Kosovës, në bashkëpunim me Federatën e Arabisë Saudite. Ndërkaq, një tjetër projekt që ishte realizuar vite më parë ishte edhe sistemi i katapultave GPS për klubet, përmes të cilit skuadrat kanë të dhëna më të sakta për performancën fizike të futbollistëve dhe ta bazojnë procesin stërvitor në analiza moderne.
Në këtë rrugëtim, vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe edukimit dhe licencimit të trajnerëve. Nga programet e fillestare të edukimit, deri te mundësia për avancim drejt niveleve më të larta të licencimit, përfshirë edhe UEFA Pro, synimi është i qartë: futbolli nuk mund të zhvillohet pa trajnerë të përgatitur dhe profesionistë.
Dhe sonte, një tjetër premtim po merr jetë.
Projekti “Ndriçojmë Futbollin” ka nisur me stadiumin “18 Qershori” në Klinë, ku ndeshja e parë në kuadër të këtij projekti u zhvillua nën dritën e reflektorëve. Në etapën e parë të këtij projekti të FFK-së, sisteme moderne të ndriçimit do të vendosen edhe në stadiumin e Gjilanit dhe në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.
Në pamje të parë, mund të duket vetëm si instalim i reflektorëve. Por në një plan më të gjerë, është pjesë e një procesi që po prek pothuajse çdo segment të futbollit.
Teknologji në gjykim. Digjitalizim në sistemin e garave. Siguri për futbollistët. Infrastrukturë për klubet. Të dhëna dhe analiza moderne. Edukim për trajnerët. Hapësira dhe kushte për zhvillimin e talenteve. Dhe tani, stadiume që ndriçohen sipas standardeve moderne.
Këto projekte nuk janë të shkëputura nga njëra-tjetra. Ato janë pjesë e një vizioni për ta ngritur futbollin e Kosovës në një nivel tjetër.
Natyrisht, ende ka shumë punë për t’u bërë. Ka stadiume që kërkojnë investime, klube që kanë nevoja të mëdha infrastrukturore dhe shumë fusha ku futbolli kosovar duhet të vazhdojë të ecë përpara.
Por zhvillimi matet edhe me atë se sa nga zotimet arrijnë të shndërrohen në rezultate konkrete.
Nga VAR-i, te sigurimi shëndetësor; nga Kampi Nacional në Hajvali, te fushat stërvitore; nga katapultat GPS, te edukimi i trajnerëve deri te licenca UEFA Pro, pastaj te krijimi i Akademisë së FIFA-s, Akademisë së Portierëve dhe Akademisë së Gjyqtarëve dhe tash së fudmi te projekti i ndriçimit të stadiumeve, lista e investimeve dhe iniciativave të FFK-së po zgjerohet vazhdimisht.
Në Klinë, sonte u ndezën reflektorët e stadiumit. Por në një kuptim më të gjerë, po ndriçohet edhe rruga e futbollit të Kosovës drejt një infrastrukture dhe organizimi më modern. Sepse premtimet kanë vlerë atëherë kur shndërrohen në punë, ndërsa puna ka vlerë kur lë gjurmë.
