August 23, 2026

Nismë e shkëlqyeshme e Gjilanit, realizon fitoren e dytë

Gjilani ka shënuar fitoren e dytë radhazi në edicionin e ri të Superligës së Kosovës, duke triumfuar me rezultat 2:0 ndaj Llapit në stadiumin “Zahir Pajaziti”, në ndeshjen e javës së dytë.

Protagonisti kryesor i skuadrës gjilanase ishte Oltion Bilali, autor i të dy golave që i siguruan Gjilanit tri pikë të rëndësishme.

Bilali zhbllokoi rezultatin në minutën e 19-të, kur pas asistimit të Arbër Potokut realizoi me kokë. Sulmuesi i Gjilanit u shfaq sërish vendimtar në minutën e 41-të, duke shënuar golin e dytë personal dhe duke e mbyllur pjesën e parë me epërsi të dyfishtë për mysafirët.

Në pjesën e dytë, Llapi kërkoi të rikthehej në lojë dhe krijoi disa raste për shënim, duke goditur edhe shtyllën. Megjithatë, portieri i Gjilanit, Coriq, me disa intervenime të mira, arriti ta ruajë portën e paprekur.

Në fund, Gjilani u largua nga Podujeva me fitore 2:0, duke vazhduar me sukses startin e kampionatit. Pas dy xhirove, skuadra gjilanase ka grumbulluar gjashtë pikë, me të dyja fitoret e arritura në udhëtim, ndërsa Llapi mbetet ende pa pikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *