Haaland dërgon Norvegjinë në 1/8 e finales, tani e pret Brazili

Erling Haaland ishte edhe një herë heroi i Norvegjisë, duke shënuar golin vendimtar në minutën e 86-të për fitoren 2:1 ndaj Bregut të Fildishtë, rezultat që i siguroi norvegjezëve kualifikimin në 1/8 e finales të Kupës së Botës.

Kjo është fitorja e parë e Norvegjisë në fazën me eliminim direkt në historinë e pjesëmarrjeve të saj në Kampionatin Botëror. Haaland realizoi golin e pestë në vetëm tri ndeshje të këtij edicioni, pasi u shërbye në mënyrë perfekte nga Patrick Berg, i cili tërhoqi mbi vete tre mbrojtës kundërshtarë para se t’ia pasonte sulmuesit të vetëm përballë portës.

Norvegjia kishte kaluar në epërsi falë një goli të bukur të Antonio Nusas, i cili realizoi me një goditje të saktë nga distanca. Megjithatë, Bregu i Fildishtë reagoi në pjesën e dytë dhe barazoi në minutën e 74-t me anë të Arnard Diallos, duke e kthyer ndeshjen në ekuilibër.

Kur dukej se sfida po shkonte drejt vazhdimeve, Haaland mori rolin e protagonistit dhe në minutën e 86-të vulosi fitoren 2:1, duke ndezur festën e norvegjezëve.

Në 1/8 e finales, Norvegjinë e pret një përballje gjigante me Brazilin, pesë herë kampion bote. Takimi do të zhvillohet të dielën në stadiumin “MetLife” në East Rutherford, New Jersey.

Për norvegjezët, kjo sfidë zgjon kujtime të veçanta. Pikërisht 28 vjet më parë, në Kupën e Botës 1998, Norvegjia realizoi një nga fitoret më të mëdha në historinë e saj, duke përmbysur Brazilin 2:1 në minutat e fundit të fazës së grupeve dhe duke siguruar atëherë kualifikimin në fazën me eliminim direkt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *