Kur analiza kthehet në reagim: mungesa e thellësisë analitike në futbollin tonë
Screenshot
Pas humbjes së Kosovës ndaj Turqisë (0:1) në finalen e “play-off”-it për kualifikim në Botërorin 2026, si zakonisht pasuan analiza, kritika dhe interpretime, disa emocionale, disa më të strukturuara. Por ajo që po mungon është një vijë e qartë ndarëse mes analizës reale dhe interpretimit të thjeshtuar.
Në njërin nga emisionet televizive trajneri Bylbyl Sokoli deklaroi se përgjegjësinë për humbjen duhet ta marrë Franco Foda, duke theksuar mungesë përgatitjeje dhe udhëheqje të dobët të lojës. Sipas tij, edhe ndërrimet u bënë “me eufori” dhe “pa koncept”. Në pamje të parë, kjo tingëllon si analizë taktike. Por a qëndron vërtet kështu?
Të thuash se ndërrimet ishin pa koncept nënkupton se trajneri nuk kishte një plan alternativ. Dhe kjo është një akuzë e rëndë për një trajner si Foda, i cili ka operuar në nivele të larta të futbollit evropian fhe i njëjti me Kosovën ka mposhtur Suedinë, Slloveninë, Islandën e Sllovakinë. Në këtë nivel, çdo skenar përfshirë bllokimin e një krahu apo neutralizimin e një lojtari si Edon Zhegrova analizohet paraprakisht.
Problemi me këtë lloj kritike qëndron diku tjetër: te thjeshtimi i lojës.
Ideja e Sokolit se “nëse Zhegrova del në të majtë, loja duhet të orientohet aty” është një lexim linear i futbollit modern. Në realitet, ekipet serioze nuk e ndërtojnë lojën mbi një individ apo një krah të vetëm, sepse kjo i bën të lexueshme dhe të parashikueshme për kundërshtarin.
Futbolli i sotëm kërkon fleksibilitet, jo varësi.
Kritika e Liridon Lecit është një tjetër shembull tipik. Sipas tij, në ndeshje të tilla trajneri duhet të jetë më agresiv, më kërkues ndaj lojtarëve, madje ai e redukton gjithë paraqitjen e përzgjedhësit në një imazh: “ka qëndruar me duar në xhepa për 90 minuta”.
Kjo është pikërisht pika ku analiza ndalet së qeni analizë.
Futbolli nuk matet me gjuhë trupi. Nuk është teatër ku trajneri duhet të duket i tensionuar për të dëshmuar angazhim. Në nivele të tilla, komunikimi me ekipin ndodh përmes strukturës, përgatitjes dhe udhëzimeve të qarta e jo përmes gjesteve për kamerën.
Të thuash se një trajner “nuk u mor me ekipin” vetëm sepse nuk bërtiste në vijën anësore është një lexim i cekët. Shpesh, trajnerët më të qetë janë pikërisht ata që synojnë të ruajnë kontrollin dhe të mos transmetojnë panik te lojtarët.
Në fund, problemi nuk është që Sokoli, Leci apo dikush tjetër kritikojnë. Problemi është standardi i kritikës.
Kur Kosova merr rezultate pozitive, i njëjti diskurs shndërrohet në lavdërim pa rezervë: trajneri ngrihet në piedestal, vendimet konsiderohen të drejta, struktura funksionon. Por sapo vjen një humbje, narrativa ndryshon rrënjësisht, shpesh pa të njëjtin standard analitik.
Kjo nuk është analizë. Është reagim.
Ndërkaq futbolli ynë ka nevojë për diçka tjetër: konsistencë në mendim.
