Vjen lajmi i mirë, nënshkruhet kontrata për rinovimin e Stadiumit të Qytetit në Gjilan
Pas një pritjeje të gjatë dhe shumë premtimeve të papërmbushura, më në fund vjen lajmi që e kanë pritur të gjithë sportdashësit e Gjilanit: është nënshkruar kontrata për rinovimin e Stadiumit të Qytetit!
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se kontrata me kompaninë fituese është zyrtarisht e nënshkruar dhe shumë shpejt pritet të fillojnë punimet.
“U NËNSHKRUA KONTRATA për Stadiumin e Gjilanit! Shumë shpejt nisin punimet dhe nis edhe një epokë e re për sportin në Gjilan. Urime të gjithë sportdashësve dhe sportistëve, ky është stadiumi që e kemi meritu prej kohësh! Shpejt, shumë shpejt… shihemi në stadiumin e ri!”, – ka shkruar Hyseni.
Ky projekt i shumëpritur kishte nisur që në vitin 2017, nën udhëheqjen e atëhershme të kryetarit Lutfi Haziri. Megjithatë, që nga ajo kohë, punimet kanë mbetur në vendnumëro, duke e lënë stadiumin jashtë funksionit për vite të tëra.
Tani, me kontratën e nënshkruar dhe zotimin për rifillim të shpejtë të punimeve, qyteti i Gjilanit ka mundësinë të shohë për herë të parë pas shumë vitesh një stadium modern dhe të denjë për klubet futbollistike të qytetit, por edhe për ngjarje sportive të nivelit më të lartë në vend.
