April 2026
M T W T F S S
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  
April 18, 2026

Turneu “Zejnullah Zejna” solli emocion, traditë dhe bashkim të shqiptarëve në Stukenbrock

Tradita dhe sporti u bashkuan sërish në Stukenbrock të Gjermanisë, aty ku FC Kastrioti para pak ditësh organizoi edicionin e radhës të turnirit tradicional “Zejnullah Zejna”, një aktivitet që prej vitit 1993 nderon emrin e bashkëthemeluesit dhe ish-lojtarit të klubit, dëshmorit Zejnullah Zejna, i rënë në betejën e lavdishme të Koshares në vitin 1999.

Pas përgatitjeve intensive nga FC Kastrioti, atmosfera festive dhe sportive pushtoi pesë fushat e blerta ku njëkohësisht u zhvilluan ndeshje të shumta. 55 ekipe nga të gjitha anët e Gjermanisë u përballën në një garë që kulmoi me plot 157 ndeshje të zhvilluara, për të nxjerrë fituesin e këtij edicioni – ekipin Selimi & Bella Bau, që në një finale të fortë dhe të bukur triumfoi ndaj Prilli 99 me rezultat minimal 1:0.

Ekipi Drenica Leverkusen e siguroi vendin e tretë, duke fituar pas penalltive përballë skuadrës R&G Bau. Turneu, përveç konkurrencës sportive, u shqua edhe për atmosferën e jashtëzakonshme dhe për pjesëmarrjen e rreth 6,000 vizitorëve nga mbarë diaspora shqiptare në Evropë.

Për argëtimin e mysafirëve u përkujdesën organizatorët e FC Kastrioti me një kuzhinë të pasur tradicionale, aktivitete për fëmijë, si dhe me muzikën e DJ Gimi-O dhe performancën e grupit folklorik “Dardanët”, që i dhanë ngjyrime autentike këtij eventi tashmë të konsoliduar në kalendarin sportiv të mërgatës shqiptare.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Diasporës, z. Enis Badalli, dhe Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Düsseldorf, z. Behar Isma, të cilët zhvilluan takime të ngrohta me përfaqësues të mërgatës dhe shprehën vlerësimin për organizimin dhe ruajtjen e frymës kombëtare përmes sportit.

Çmimet individuale shkuan për Bernard Imerin e ekipit Prilli 99 si “Lojtari më i mirë”, ndërsa Petrit Budakova nga Bella Bau u shpall “Portieri më i mirë” për të dytin vit radhazi. Trofetë u ndanë nga kryetari i FC Kastrioti dhe përfaqësuesi i Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani (FFSHGJ), z. Mustafë Bellaina.

Turniri “Zejnullah Zejna” vazhdon të jetë jo vetëm një garë sportive, por edhe një festë e vlerave kombëtare, e respektit për historinë dhe e unitetit të mërgatës shqiptare në Evropë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *