Ruiz e Hakimi: Fitorja ndaj Real Madridit më e mirë se sa e kishim imagjinuar
Lojtarët e Paris Saint-Germain, Fabian Ruiz dhe Achraf Hakimi, kanë shprehur entuziazmin e tyre pas fitores bindëse 4:0 ndaj Real Madridit në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klube, duke e cilësuar triumfin si më të mirë se që kishin imagjinuar.
Ruiz shënoi dy gola në këtë përballje të dominuar nga kampioni i Francës, duke i siguruar PSG-së një vend në finalen që do ta zhvillojë këtë fundjavë kundër Chelseat.
“Nuk mund ta imagjinoja diçka më të mirë”, tha Ruiz pas ndeshjes. “Urime gjithë skuadrës që më dha forcë për t’i shënuar ato gola. Fitore ndaj Real Madridit – një nga ekipet më të mëdha në botë. Ishte nxehtë, por jemi shumë të lumtur”.
Edhe mbrojtësi Achraf Hakimi, i cili pati paraqitje të shkëlqyer në krah, vlerësoi përkushtimin e skuadrës dhe besimin e marrë nga trajneri Luis Enrique.
“E merituam këtë fitore. Bëmë një përpjekje të jashtëzakonshme”, tha Hakimi për DAZN. “Nuk ishte e lehtë për shkak të vapës dhe kundërshtarëve me cilësi të lartë. Ky trajner më ka dhënë besim dhe më lejon të luaj me liri”.
Ai theksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit në fushë: “Me Marquinhos ndjehem i sigurt, ndërsa João Neves po bën një punë të mrekullueshme. Më jep qetësi në mbrojtje. Po e shijoj shumë këtë periudhë me ekipin”.
Finalja mes PSG-së dhe Chelseat do të zhvillohet këtë fundjavë.
