Robertson lavdëron talentin e ri të Liverpoolit: Salah mund të jetë frymëzim i madh për të
Mbrojtësi i majtë i Liverpoolit, Andy Robertson, ka vlerësuar lart talentin e ri të klubit, Rio Ngumoha, duke thënë se ai ka një të ardhme të ndritur dhe se Mohamed Salah mund të shërbejë si frymëzim i madh për zhvillimin e tij.
Ngumoha, një nga prurjet më premtuese të akademisë së Liverpoolit, ka lënë mbresa në fazën përgatitore të verës. Ai shënoi në miqësoren me Stoke City, ndërsa tërhoqi vëmendjen edhe ndaj gjigantëve italianë të Milanit, pavarësisht humbjes 2:4 të “The Reds”.
“Është një djalë i mirë me këmbë në tokë, dhe fakti që ka pranë vetes lojtarë si Mo Salah, mund t’i ndihmojë jashtëzakonisht shumë”, u shpreh Robertson për The Anfield Wrap pas ndeshjes së fundjavës.
Skoci vazhdoi me lëvdata edhe për një tjetër talent të klubit, Trey Nyoni. “Ne gjithmonë mundohemi t’i ndihmojmë si Rio ashtu edhe Trey. Janë shumë të rinj, por janë djem të shkëlqyer dhe kanë një të ardhme të madhe përpara”, shtoi ai.
Robertson, i cili ka luajtur dy ndeshjet e fundit me Ngumohan para vetes në krahun e majtë, vërejti përparimin e vazhdueshëm të adoleshentit. “Ai po përmirësohet çdo herë që luan me ne. Ka një të ardhme të ndritur, por edhe e tashmja duket shumë premtuese”.
Ndërkohë, Trey Nyoni pati paraqitje solide kundër Milanit, me tri duele dhe tri ndërhyrje të fituara, një përqindje të lartë pasimesh të sakta (92%) dhe një ndërprerje loje.
Ngumoha kontribuoi me një asistim në golin e Dominik Szoboszlais që e barazoi përkohësisht rezultatin. Të dy lojtarët pritet të përfitojnë nga minutat në miqësore për të bindur stafin teknik, ose për të siguruar huazime në mënyrë që të kenë më shumë hapësira për lojë dhe zhvillim të vazhdueshëm.
