Real Madrid –Manchester City përballen sërish në Champions
Shorti i hedhur sot në Nyon ka rikthyer një nga përballjet më të forta të viteve të fundit në Ligën e Kampionëve: Real Madrid – Manchester City.
Dy gjigantët evropianë janë kthyer në një “klasike” të Champions-it modern. Në shtatë sezonet e fundit, ata janë përballur gjashtë herë në fazën me eliminim direkt, duke prodhuar ndeshje dramatike, rikthime të pabesueshme dhe duele të vendosura në detaje.
Real Madridi ka dalë më shpesh fitues në momentet vendimtare. Në sezonin 2023/24, madrilenët siguruan kualifikimin nga çerekfinalja pas penalltive, pasi ndeshja e parë kishte përfunduar 3-3. Po ashtu, gjysmëfinalja e sezonit 2021/22 mbetet një nga përballjet më dramatike të dekadës, e vendosur vetëm pas kohës shtesë.
Nga ana tjetër, Manchester City reagoi fuqishëm në sezonin 2022/23, kur në gjysmëfinale triumfoi 4-0 në ndeshjen e kthimit, pas barazimit 1-1 në sfidën e parë, duke dominuar plotësisht në “Etihad”.
Bilanci i përgjithshëm mes dy skuadrave është pothuajse i barabartë: nga pesë fitore secila dhe pesë barazime. Manchester City ka realizuar 26 gola, ndërsa Real Madridi 25 – shifra që tregojnë sa e ekuilibruar ka qenë kjo rivalitet.
Historiku i këtyre dueleve flet për ndeshje të luftuara deri në sekondat e fundit, të vendosura nga penallti, gola në fund apo momente individuale brilante.
Edhe këtë sezon pritet një tjetër kapitull spektakolar në një rivalitet që tashmë konsiderohet ndër më të fortët dhe më emocionuesit në historinë moderne të Ligës së Kampionëve.
