Ardon Jashari: Tani ndihem në formë 100%

Ardon Jashari ka rikthyer vazhdimësinë në fushë dhe te AC Milan nuk ka dilema për rolin e tij në projektin e këtij sezoni.

Në një intervistë për “SportMediaset”, mesfushori kuqezi konfirmoi se është rikthyer plotësisht në formë:

“Tani ndihem 100%. Po punoj çdo ditë për të luajtur më shumë dhe për ta ndihmuar ekipin të fitojë ndeshjet”.

Jashari foli edhe për ndjesinë që i ka dhënë transferimi në Milano, duke e cilësuar atë si realizim ëndrre. Ai theksoi se negociatat nuk kanë qenë të lehta, por momenti kur iu dha mundësia të vishte fanellën kuqezi ishte i veçantë për të.

“Milani ka shumë rëndësi për mua. Është një klub magjik. Të luash këtu çdo ditë është ndjesi fantastike. Mundohem ta shijoj dhe të jap maksimumin në fushë, që tifozët të jenë krenarë”.

Sa i përket objektivave, mesfushori është i qartë: rikthimi në UEFA Champions League mbetet synimi kryesor i sezonit.

“Kur luan në Champions përjeton netë magjike. Është një objektiv që duhet ta arrijmë së bashku”.

Jashari vlerësoi edhe rolin e trajnerit Massimiliano Allegri, duke theksuar përvojën dhe mentalitetin fitues të tij. Sipas tij, Allegri është figurë kyçe për çdo futbollist, për shkak të eksperiencës në futbollin italian dhe trofeve të fituara gjatë karrierës.

Në fund, ai përmendi edhe idhujt e tij në Serie A: Andrea Pirlo dhe Roberto Baggio, duke nënvizuar se ka admiruar veçanërisht stilin dhe qetësinë e Pirlos në mesfushë.

Me formën në rritje dhe ambicie të qarta, Jashari synon të jetë një nga pikat kyçe të Milanit në fazën vendimtare të sezonit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *