Prishtina realizon fitoren e parë në pranverë, mposht Llapin

Dielli ndriçoi për herë të parë për Prishtinën në stinorin pranveror, teksa në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, arriti të shënojë fitore kundër Llapit, në kuadër të javës së 22-të në Albi Mall Superligë.
Prishtina, që kishte humbur tre ndeshje radhazi në këtë stinor pranveror, kishte nevojë për një fitore të madhe për të rivendosur besimin tek skuadra dhe tifozët. Ndërkohë, Llapi, që kishte fituar tri ndeshje radhazi, ishte në kërkim të vazhdimësisë së saj pozitive.
Megjithatë, gjithçka shkoi si duhet për Prishtinën. Në minutën e 41-të Albin Prapashtica shënoi një gol të bukur për Prishtinën, teksa në minutën e dytë të kohës shtesë të kësaj pjesëloje, Endrit Krasniqi shënoi golin e dytë për bardhekaltrit, duke shfrytëzuar një gabim të portierit të Llapit, Ilir Avdyli.
Në pjesën e dytë llapjanët patën disa mundësi, por nuk arritën t’ia rrezikojnë fitoren prishtinasve. Kësisoj skuadra e Ismet Munishit e ndërpreu serinë e humbjeve, teksa Llapi, në anën tjetër, pësoi humbjen e parë në këtë stinor pranveror.
Pas kësaj fitore të rëndësishme, Prishtina u ngjit në vendin e katërt në tabelë, me 30 pikë, duke kaluar Llapin. Ndërkohë, Llapi bie në vendin e pestë, me 29 pikë.