Prishtina kthehet te fitorja në “Fadil Vokrri”, mposht Ferizajn

Pas disfatës që e pësoi në xhiron e kaluar nga Dukagjini i Klinës, Prishtina me Debatik Currin në krye të skuadrës është kthyer te fitorja sërish.
Prishtina të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e xhiros së 29-të të elitës së futbollit të Kosovës, fitoi përballë Ferizajt me rezultatin 2:0.
Golin e parë në këtë ballafaqim për skuadrën kryeqytetase e shënoi sulmuesi Leotrim Kryeziu në minutën e pestë të shtesës në pjesën e parë, nga penalltia.
Kryeziu në pjesën e dytë e pati edhe një transversale të qëlluar.
Ndërkohë, Endrit Krasniqi në minutën e 74-të shënoi për 2:0.
Mesfushori i Prishtinës e kaloi portierin dhe shënoi në portën e zbrazët.
Nga ana tjetër, Ferizaj që mposhti në xhiron e kaluar Gjilanin, e pësoi disfatën e dytë brenda tri ndeshjeve.
Prishtina në pozitën e katërt ka 41 pikë, ndërsa Ferizaj mbetet në pozitën e tetë me 31 pikë.
Në xhiron e 30-të, Prishtina udhëton te Drita, kurse Ferizaj e pret Malishevën.