Presidenti i FFK-së pret në takim drejtuesit e rinj të FC Vjosës, rithekson përkrahjen për klubet në të gjithë vendin
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur sot në takim drejtuesit e rinj të klubit FC Vjosa nga Shtimja, të dalë nga Kuvendi i mbajtur javën e kaluar.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Ademi ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi ka uruar kryesinë e re të klubit, përkatësisht kryetarin Fatmir Jashari, drejtorin sportiv Sadik Tershana dhe sekretarin Shefki Dauti, për riorganizimin e klubit dhe zgjedhjen në pozitat përkatëse.
“Gjatë takimit diskutuam për organizimin dhe ambiciet e këtij klubi për edicionin e ri. Duke iu dëshiruar shumë suksese pas këtij riorganizimi, ritheksova mbështetjen tonë të vazhdueshme për zhvillimin e mëtejmë të futbollit në çdo pjesë të vendit tonë”, ka shkruar Ademi në Facebook.
Presidenti i FFK-së theksoi se përkrahja institucionale për klubet në të gjitha nivelet do të vazhdojë, në mënyrë që të krijohen kushte sa më të mira për zhvillimin e futbollit në çdo komunë dhe rajon të Kosovës.
FC Vjosa është një nga klubet që sivjet garon në Ligën e Parë unike dhe me strukturën e re por edhe stadiumin e rindërtuar synon të bëhet konkurruese në edicionin 2025/26.
