Presidenti Ademi pret në takim kontingjentin e ri të KFOR-it italian: Rikonfirmohet bashkëpunimi me FFK-në
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e kontingjentit të ri të KFOR-it italian, me të cilët ka rikonfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet dy palëve.
Në takim morën pjesë Guidace Domenico, Naimo Benedetto dhe Paolino Alessandro, udhëheqës të kontingjentit aktual, të cilëve Ademi iu uroi mirëseardhje dhe shprehu vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme që KFOR-i italian i ka dhënë futbollit kosovar.
“Sot prita në takim ekipin e ri të KFOR-it italian, me të cilët gjithmonë kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer.
Guidace Domenico, Naimo Benedetto dhe Paolino Alessandro, udhëheqës të kontingjentit të ri të KFOR-it italian iu urova mirëseardhje dhe së bashku rikonfirmuam vazhdimin e projekteve të përbashkëta.
Në kuadër të mandatit të KFOR-it, kontingjenti italian është përgjegjës për inxhinierinë dhe në këtë drejtim ka kontribuar ndjeshëm në të gjitha kampet e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Falenderojmë KFOR-in për bashkëpunimin dhe mbështetjen!”, ka shkruar Ademi.
FFK dhe KFOR-i kanë ndarë shpesh projekte të përbashkëta në kuadër të përkrahjes për të rinjtë, sportin dhe zhvillimin lokal, veçanërisht në zonat ku futbolli ka rol të rëndësishëm si mjet integrues dhe edukativ.
