Pas shumë zvarritjesh, nisin punimet në stadiumin e qytetit në Gjilan
Pas një periudhe të gjatë pritjeje dhe zvarritjesh për shkak të ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), më në fund kanë nisur punimet për ndërtimin e stadiumit të qytetit në Gjilan.
Kontrata për këtë projekt madhor është nënshkruar të martën dhe kap vlerën e afër 12.8 milionë euro. Punimet pritet të zgjasin dy vite, ndërsa ky projekt përfaqëson një nga investimet më të mëdha infrastrukturore në sportin e qytetit të Gjilanit.
Për nisjen e punimeve e ka shkruar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetet sociale, i cili sot ishte në vendpunishte, teksa ka theksuar rëndësinë e këtij projekti për qytetin dhe komunitetin sportiv:
“Të martën u nënshkrua kontrata në vlerë afër 12.8 milionë euro, sot nisën punimet që do të zgjasin dy vjet. Gjilani do ta ketë stadiumin që kaq gjatë e ka pritur, e aq shumë e meriton.
Urime dhe punime të mbara e të shpejta!”, shkroi Kurti.
Stadiumi i ri pritet të sjellë përmirësime të mëdha në infrastrukturën sportive dhe të krijojë kushte moderne për klubet vendore, përfshirë SC Gjilanin dhe FC Dritën, si dhe për zhvillimin e aktiviteteve të tjera sportive dhe kulturore në qytet.

