Memeti: Kemi potencial për më shumë, meritojmë mbështetje e vëmendje
Pas fitores së rëndësishme 2:1 ndaj Bullgarisë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2027, Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave ka konfirmuar formën e saj të shkëlqyer, duke regjistruar fitoren e katërt radhazi në Grupin 2 të Ligës C. Një tjetër paraqitje me karakter dhe përmbysje rezultati dëshmoi rritjen e vazhdueshme të ekipit dhe besimin e madh brenda grupit të futbollisteve dardane.
Në një intervistë për faqen zyrtare të FFK-së, një ditë pas këtij triumfi, kapitenia Erëleta Memeti flet për momentin aktual të skuadrës, faktorët që kanë ndikuar në këtë seri pozitive, emocionet e golit të fitores në sekondat e fundit kundër Bullgarisë, sfidat që e presin ekipin, për ëndrrën e madhe të kualifikimit në Botërorin 2027, si dhe për nevojën për mbështetje dhe vëmendje më të madhe ndaj Kombëtares së vajzave.
Katër fitore radhazi në Ligën C, çfarë ka ndryshuar te ekipi?
Erëleta Memeti: Po vet fakti që ekipi ka mundur të qëndrojë së bashku për një periudhë më të gjatë dhe nuk ka pasur shumë ndryshime në përbërje ka bërë që të mos mungojnë as rezultatet. Ekipi ka arritur që të luajë gjithnjë e më mirë dhe si një njësi. Mendoj se kjo është një nga arsyet kryesore për performancën tonë të qëndrueshme që kemi aktualisht. Gjatë grumbullimeve të fundit, ekipi është bërë gjithnjë e më i bashkuar dhe kjo harmoni dhe lidhje jashtë fushës natyrshëm po reflektohet edhe në fushë.
A është kjo forma më e mirë që ka pasur ndonjëherë Kombëtarja?
Erëleta Memeti: Aktualisht jemi në formë të mirë dhe po arrijmë rezultate pozitive, por besoj se skuadra mund të bëjë edhe më shumë. Në të kaluarën kemi pasur faza ku ndoshta kemi punuar edhe më mirë në fushë, prandaj e di çfarë është në gjendje të bëjë skuadra. Dua që të përmirësohemi edhe më shumë dhe të tregojmë lojë edhe më të mirë, sepse e di që mundemi.
Dy fitoret ndaj Bullgarisë erdhën me përmbysje të rezultatit, a e tregon kjo karakterin e fortë të ekipit për t’u rikthyer edhe pas disavantazhit?

Erëleta Memeti: Mendoj se para së gjithash ne nuk duhet të lejojmë të jemi fare në disavantazh. Ndonjëherë e bëjmë kundërshtarin të duket më i fortë sesa është në të vërtetë. Prandaj, do të thosha se duhet të përmirësohemi fillimisht këtë aspekt. Por fakti që si skuadër arrijmë ta përmbysim një rezultat, tregon padyshim forcë. Skuadra e di edhe në momente të tilla që mund të bëjmë më mirë. Sidomos në dy ndeshjet e fundit e kemi parë veten si skuadër më të mirë, prandaj për ne ishte e qartë se duhej ta përmbysnim rezultatin.
Shënuat golin e fitores në sekondat e fundit, çfarë kishe në mendje në ato momente?
Erëleta Memeti: Kur isha në atë aksion, nuk mendova fare për asgjë, thjesht doja ta dërgoja topin drejt portës. Kur shënova gol nuk dija ku t’i çoja emocionet e mia. Thjesht më erdhën lotët në sy. Nuk e dija as çfarë të bëja, si të festoja. Doja thjesht të hidhesha përtokë sepse isha tepër e lumtur. Kur e pashë të gjithë skuadrën duke vrapuar drejt meje kisha një ndjesi rrëqethjeje. Të gjitha lojtaret, si ato që ishin në fushë, edhe ato në bankinë e madje edhe ato në tribunë dhe trajnerët erdhën për të festuar. Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme.
A është ky një nga golat më të bukur në karrierën tënde?
Erëleta Memeti: Është padyshim një nga golat e mi më të bukur sidomos pasi pashë sa krenare ishin skuadra dhe publiku për mua. Çfarë peshe ua hoqa nga supet me atë gol, duke bërë ekipin që ta fillojë festën e fitores. Ky gol do të më mbetet përgjithmonë në kujtesën time dhe atë ndjesi të jashtëzakonshme nuk do ta harroj kurrë.
Si kapitene, si e motivon skuadrën, sidomos në momente të vështira si ato të fundit të ndeshjes kundër Bullgarisë?

Erëleta Memeti: Jam një kapitene që ndoshta nuk flet shumë, por me energjinë dhe stilin tim të lojës e çoj përpara ekipin. I motivoj të tjerët me veprimet e mia dhe i bëj që të besojnë më shumë te vetja. Jam një lojtare shumë e fortë në aspektin mental dhe për mua s’ka rëndësi kush është përballë meje. Unë gjithmonë kam respekt për kundërshtarin, por jo frikë dhe pikërisht këtë mentalitet dua t’ia përcjell edhe ekipit tim përmes stilit tim të lojës.
Pavarësisht rezultateve dhe emocioneve që po dhuroni, vëmendja mediatike duket ka qenë e vogël. Madje në ndeshjen e djeshme një hije e keqe ishte fakti se nuk u pa asnjë gazetarë sportiv në tribunën e mediave, si ndiheni për këtë si ekip?
Erëleta Memeti: Ne si ekip, natyrisht që e ndiejmë mungesën e vëmendjes mediatike dhe në momente të caktuara kjo duket e padrejtë, sidomos kur japim maksimumin në fushë dhe përfaqësojmë vendin tonë me krenari. E kuptojmë që në futbollin e meshkujve interesimi është më i madh, por tek ne duket sikur ky interesim mungon krejtësisht. Për ne, prania e gazetarëve dhe e publikut në stadium ka një rëndësi të veçantë, sepse na jep një ndjenjë më të madhe vlerësimi dhe motivimi. Është ndryshe kur performanca jonë përcillet nga afër, sesa kur gjithçka raportohet apo komentohet vetëm nga distanca. Megjithatë, kemi pasur edhe momente që na kanë bërë të ndihemi të vlerësuara. Edhe vizita e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, para ndeshjes ishte një sinjal pozitiv për ne. Ishte një ndjenjë e mirë dhe një vlerësim i rëndësishëm për punën dhe përkushtimin tonë për fanellën dhe shtetin. Shpresojmë që me kohë kjo vëmendje të rritet nga të gjithë, sepse ne do të vazhdojmë të japim maksimumin për fanellën e Kosovës dhe të përfaqësojmë vendin tonë sa më dinjitetshëm.
A shpreson që ndoshta seria e fitoreve do ta ndryshojë mënyrën si trajtohet futbolli i vajzave dhe në të ardhmen do të ketë më shumë tifozë në tribuna, por edhe interesimi i mediave të rritet?
Erëleta Memeti: Po, besoj që rezultatet pozitive dhe seria e fitoreve mund të ndikojnë që futbolli i vajzave të trajtohet ndryshe dhe të marrë më shumë vëmendje. Kur ka suksese, natyrisht rritet edhe interesi i tifozëve dhe mediave. Megjithatë, ky është një proces që kërkon kohë dhe vazhdimësi. Ne si ekip do të vazhdojmë të japim maksimumin në fushë dhe shpresoj që me kalimin e kohës edhe mbështetja të rritet gjithnjë e më shumë. Gjithashtu shpresoj në një interesim më të madh edhe nga tifozët, pasi kjo do të na motivonte edhe më shumë drejt sukseseve të reja. Atmosfera në tribuna gjithmonë na jep forcë dhe energji shtesë në fushë, por njëherësh i bën presion edhe kundërshtarit.
Në qershor na pret ndeshja me Kroacinë, që është vendimtare për pozitën e parë dhe kalimin në Ligën B, çfarë duhet të bëjë kjo skuadër për të vazhduar në këtë rrugë?

Erëleta Memeti: Ndeshja me Kroacinë në qershor është shumë e rëndësishme për ne, sepse vendos për pozitën e parë dhe kalimin në Ligën B. Mendoj që çelësi do të jetë përqendrimi maksimal, disiplina taktike dhe besimi në veten tonë. Duhet të hyjmë në fushë si ekip i bashkuar, të luftojmë për çdo top dhe të mos dorëzohemi në asnjë moment. Ne duhet të besojmë në veten tonë dhe të fokusohemi që si ekip jemi më të fortë sesa si individë. Së bashku mund ta arrijmë këtë objektiv.
Sa reale është ëndrra për kualifikim në Botëror 2027?
Erëleta Memeti: Ëndrra për kualifikim në Botërorin 2027 sa reale është po aq sfiduese. Ajo kërkon shumë punë dhe përkushtim të vazhdueshëm. Jemi në një pozicion të mirë dhe kemi treguar se mund të arrijmë rezultate pozitive, por rruga deri në fund mbetet sfiduese. Na presin ndeshje të vështira ndaj kundërshtarëve me cilësi dhe përvojë shumë të madhe, çka do të kërkojë nivel edhe më të lartë angazhimi nga ana jonë. Megjithatë, ne duhet të besojmë te potenciali ynë si ekip. Në momentin që fillon të dyshosh, e bën më të vështirë arritjen e objektivit, prandaj ne zgjedhim të mendojmë pozitivisht. Fokusi ynë është i qartë, të ecim hap pas hapi, ndeshje pas ndeshjeje, duke dhënë maksimumin në çdo paraqitje. Vetëm kështu mund ta mbajmë gjallë këtë ëndërr dhe ta afrojmë sa më shumë realizimin e saj.
