Malisheva befason Ballkanin në “Liman Gegaj”, fitore e madhe në garën për Evropë
Malisheva ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme në AlbiMall Superligën e Kosovës, duke e mposhtur Ballkanin me rezultat 4:2 në ndeshjen e xhiros së 29-të, të zhvilluar të dielën pasdite në stadiumin “Liman Gegaj”.
Kjo fitore e madhe e ngjit Malishevën në vendin e katërt me 43 pikë, vetëm një pikë më pak se Prishtina që mban pozitën e tretë, e cila siguron pjesëmarrjen në kualifikimet e Ligës së Konferencës.
Ndeshja nisi më mirë për mysafirët, me Ballkanin që kaloi në epërsi në minutën e 15-të me golin e mesfushorit Giovanni. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë, Malisheva reagoi fuqishëm dhe brenda pak minutash përmbysi gjithçka. Fillimisht Etnik Brruti barazoi shifrat nga penalltia në minutën e 56-të, ndërsa vetëm tre minuta më vonë Assane Diatta shënoi për 2:1.
Dominimi i vendasve vazhdoi, me Brrutin që realizoi edhe golin e dytë personal në minutën e 82-të për 3:1, duke i dhënë qetësi skuadrës së tij.
Ballkani u rikthye në lojë në minutën e 87-të me golin e Almir Kryeziut për 3:2, duke rihapur sfidën në minutat e fundit. Megjithatë, në kohën shtesë, Malisheva siguroi fitoren pasi fitoi penallti, ndërsa Gentrit Halili u ndëshkua me karton të kuq. Penalltinë e konkretizoi në gol Laurent Xhylani për rezultatin përfundimtar 4:2.
Me këtë triumf, Malisheva vazhdon garën e fortë për një vend që dërgon në Evropë, ndërsa Ballkani humb terren në luftën për kreun e tabelës.
