Mbeumo pranë transferimit te United, pasojnë largime të mëdha
Klubi i Manchester United pritet të kompletojë së shpejti transferimin e radhës në këtë afat kalimtar. Sulmuesi Bryan Mbeumo është afër zyrtarizimit si përforcimi i tretë i “Djajve të Kuq” këtë verë, pas marrëveshjeve për brazilianin Matheus Cunha nga Wolves dhe mbrojtësin e ri Diego Leon.
Mbeumo, i cili këtë muaj mbush 25 vjet, pritet të prezantohet gjatë fundjavës – ose pas ndeshjes miqësore kundër Leeds United në Stokholm të shtunën, ose të dielën në ditën pas ndeshjes.
Pavarësisht nevojës për të larguar disa lojtarë për të balancuar financat, klubi ka vazhduar të investojë në përforcime. Mirëpo, për të shmangur shkeljen e rregullave të Fair-Play Financiar, drejtuesit e klubit tashmë po përgatiten për disa largime të bujshme.
Sipas mediave britanike, Marcus Rashford, Alejandro Garnacho, Antony, Jadon Sancho dhe Tyrell Malacia janë pjesë e asaj që trajneri Ruben Amorim e ka cilësuar si “skuadra bombë” – një grup lojtarësh që nuk llogariten në planet për sezonin e ri dhe janë në shitje.
Pasi të përmbyllet transferimi i Mbeumo-s, Manchester United do të jetë nën presion të shtuar për të larguar disa nga këta emra, në mënyrë që të ruajë ekuilibrin financiar dhe të shmangë sanksione të mundshme nga Premier League apo UEFA.
Sezoni i ri për United nis më 16 gusht, ndërsa klubi synon një rikthim në majat e futbollit anglez pas një viti zhgënjyes.
