Liverpool refuzon ofertën e Bayernit për Luis Diaz, kolumbiani nuk është në shitje
Liverpooli ka refuzuar menjëherë ofertën zyrtare të Bayern Munichut për transferimin e sulmuesit kolumbian, Luis Diaz. Oferta e gjermanëve, në vlerë prej 67.5 milionë euro, është bërë të martën në mëngjes, por nuk ka marrë fare konsideratë nga drejtuesit e klubit anglez.
Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, kjo është përpjekja e dytë e Bayernit për të transferuar 27-vjeçarin këtë verë, pasi drejtori sportiv i klubit gjerman, Max Eberl, ishte informuar dy javë më parë se Liverpooli nuk ka ndërmend të shesë futbollistin dhe nuk do të hapë bisedime për largimin e tij.
“Liverpool ka refuzuar ofertën prej 67.5 milionë euro nga Bayern për Luis Diaz. Klubi nuk e ka marrë fare në konsideratë, pasi tashmë kishte mbyllur çdo derë për oferta në qershor”, ka shkruar Romano.
Përkundër faktit se vetë Diaz është i hapur për një transferim gjatë kësaj vere – me interesim të raportuar edhe nga Barcelona – Liverpooli mbetet i vendosur që ai nuk është në shitje.
Një nga arsyet kryesore prapa këtij qëndrimi është mungesa e thelluar në repartin e sulmit, pas lëndimit të rëndë të Diogo Jotës. Në këto rrethana, trajneri Arne Slot, i cili e fitoi titullin e Premier League në sezonin e tij të parë me “të kuqtë”, po insiston në ruajtjen e grupit aktual të lojtarëve.
Liverpooli tashmë ka investuar dukshëm në përforcime këtë verë, duke sjellë emra të mëdhenj si Florian Wirtz, Milos Kerkez dhe Jeremie Frimpong, por nuk është i gatshëm të pranojë humbjen e një prej lojtarëve kryesorë të krahut, në një sezon tjetër ambicioz për titull.
Përkundër gatishmërisë së Diaz për t’u larguar, të gjitha gjasat janë që kolumbiani do të vazhdojë të jetë pjesë e Liverpoolit të paktën edhe për sezonin 2025/26.
