Lëndimi i rëndë i Oltion Bilallit lë në hije barazimin me Malishevën
Një incident i rëndë ka lënë në hije rezultatin e barazimit pa gola mes Gjilanit dhe Malishevës, takim që u zhvillua të martën pasdite në kuadër të xhiros së 33-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Në minutat e fundit të sfidës, mesfushori i Gjilanit, Oltion Bilalli, pësoi një lëndim serioz pas një përplasjeje me portierin e Malishevës. Situata në fushë u bë alarmante, teksa lojtari mbeti i shtrirë për disa minuta.
Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë, ndërsa Bilalli më pas u largua me autoambulancë drejt spitalit. Pamjet shqetësuese nga vendi i ngjarjes shkaktuan tension dhe pasiguri tek lojtarët dhe tifozët.
Ndeshja u ndërpre për më shumë se 15 minuta dhe vazhdoi mes një atmosfere të ftohtë. Disa nga tifozët vendas kanë reaguar ashpër për vendimin që takimi të vazhdojë, duke e cilësuar të papërshtatshëm në rrethana të tilla.
Pavarësisht tronditjes, rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Me këtë barazim, Malisheva ruan pozitën e tretë me 49 pikë, ndërsa Gjilani ndodhet në vendin e pestë me 46 sosh.
Gjendja shëndetësore e Bilallit pritet të konfirmohet nga klubi në orët në vijim.
