Kreu i FFK-së ngushëllon për ndarjen nga jeta të Remzi Blakqorit dhe Islam Mehmetit
Dy figura të respektuara të futbollit kosovar kanë ndërruar jetë ditën e sotme – Remzi Blakqori dhe Islam Mehmeti, të cilët për vite me radhë kontribuuan me përkushtim në zhvillimin dhe mbështetjen e futbollit në vendin tonë.
Federata e Futbollit e Kosovës, nëpërmjet presidentit Agim Ademi ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet e tyre, duke vlerësuar kontributin e pazëvendësueshëm që këta dy njerëz lanë pas në sportin më të dashur në vendin tonë.
Remzi Blakqori – një emër që qëndroi besnik futbollit në kohë të vështira

Në telegramin e ngushëllimit për familjen Blakqori, presidenti Ademi ka vlerësuar lart rolin e Remzi Blakqorit, sidomos gjatë viteve të ’90-ta, kur futbolli në Kosovë përballej me sfida të mëdha nën regjimin okupues serb.
“Remzi Blakqori nuk e ndali kurrë dashurinë për futbollin. Ai qëndroi gjithmonë pranë fushës së gjelbër dhe brezave të rinj,” thuhet në telegram. Ai për shumë vite ishte pjesë e kryesisë së KF Elektroekonomia të Obiliqit (tash FC KEK-u) dhe financues i klubit, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbajtjen gjallë të sportit në kohë okupimi.
FFK thekson se humbja e tij nuk është vetëm dhimbje për familjen e ngushtë dhe miqtë, por për gjithë komunitetin sportiv në Kosovë.
Islam Mehmeti – simbol i përkushtimit në Trepçën’89
Po ashtu, kreu i FFK-së shprehu dhimbjen dhe solidaritetin e tij me familjen Mehmeti dhe klubin KF Trepça’89 për humbjen e Islam Mehmetit – një figure të dashur e shumë të respektuar në futbollin mitrovicas.
“Lami ishte më shumë sesa një punëtor i klubit – ai ishte një simbol i përkushtimit, dashurisë dhe përkujdesjes për gjithçka që kishte të bënte me KF Trepça’89,” thuhet në telegramin e FFK-së. Me përkushtim të pashoq, ai kishte qenë gjithmonë pranë futbollistëve dhe trajnerëve, duke siguruar kushte të denja për çdo aktivitet të klubit.

