Komenti i Blick: Largimi i Avdullahut është një shuplakë e rëndë për Zvicrën
Talenti i madh Leon Avdullahu po i kthen shpinën Kombëtares së Zvicrës. Ende nuk është e qartë se sa shumë do të dëmtojë kjo në aspektin sportiv. Por tashmë duhet të shtrohen pyetje të vështira, shkruan redaktori sportiv i Blick, Emanuel Gisi.
Tani është zyrtare: Leon Avdullahu (21), i rritur në Solothurn dhe që ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Kombëtares së Zvicrës, së fundmi i transferuar nga Baseli te Hoffenheimi për 8 milionë franga, ka vendosur të luajë për Kombëtaren e Kosovës. Çfarë shuplake në fytyrë për Federatën e Futbollit të Zvicrës!
Si shtetas me dy pasaporta, Avdullahu ishte i lirë të zgjidhte. Por për Shoqatën Zvicerane të Futbollit, kjo është një humbje e hidhur. Një lojtar i rritur e i përgatitur në nivelin më të lartë të futbollit të të rinjve që nga viti 2019, vendos të bashkohet me një kombëtare dukshëm më të dobët në futbollin e rritur, edhe pse Zvicra e dëshironte me ngulm – kjo tregon se diçka nuk funksionon siç duhet. Vetëm largimet e Rakitic dhe Petriç kanë qenë më të dhimbshme, të krahasueshme me atë të Kuzmanovic, ndonëse ky i fundit më pas pati një karrierë në rënie.
Mbetet të shihet nëse Avdullahu do të bëhet një “Rakitic” apo një “Kuzmanovic”. Por një gjë është e qartë: SFV duhet të mësojë nga kjo fiasko. Presidenti i ri i federatës, Peter Knäbel, provoi gjithçka në muajin e tij të parë në detyrë; madje së fundmi u pa në tribuna bashkë me babain e Avdullahut në Leverkusen, ku ky i fundit debutoi në Bundesligë me Hoffenheimin. Një përpjekje e lavdërueshme, por në fund mbeti vetëm një tentativë për të kompensuar një hendek të krijuar prej kohësh – një përpjekje që rezultoi e pasuksesshme.
Një raport i keq për menaxhimin e talenteve
Problemi kryesor: Shoqata Zvicerane e Futbollit beson se mjafton vetëm promovimi i lojtarëve. Por talentet e sotme kërkojnë më shumë: mbështetje individuale, perspektiva të qarta e të hershme, ndjeshmëri ndaj dyshimeve, komunikim të hapur. Këto janë pjesë e domosdoshme të “respektit” në futbollin modern. Kush i injoron, i humb lojtarët. Fakti që Avdullahu zgjodhi Kosovën, pavarësisht avantazheve shumë më të mëdha që do të kishte në Zvicër, është një dëshmi e menaxhimit të dobët të talenteve nën drejtimin e drejtorit të kombëtares, Pierluigi Tami. Kjo duhet thënë hapur.
Rezultatet e fundit janë dëshpëruese. Me Avdullahun dhe Eman Kospon e Fiorentinës (18 vjeç, gati të zgjedhë Bosnjën), Zvicra ka humbur dy lojtarë të talentuar brenda një jave. A është kjo thjesht rastësi dhe fat i keq? Tami do të duhet të japë përgjigje.
