Blick: Leon Avdullahu ia kthen shpinën Zvicrës, zgjedh Kosovën
Mediumi i njohur zviceran Blick ka raportuar se Leon Avdullahu ka vendosur të përfaqësojë Kosovën, duke i dhënë fund dilemave për të ardhmen e tij ndërkombëtare.
“Pritjes i erdhi fundi, Leoni është i Kosovës!”, ka shkruar presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në Instagram. Sipas tij, 21-vjeçari i Hoffenheim-it e ka njoftuar për vendimin të hënën mbrëma – një informacion që, siç thekson Blick, iu ka konfirmuar redaksisë pak para mesnate.
Mediumi zviceran shkruan se Avdullahu mund ta bëjë debutimin e tij me Kosovën pikërisht kundër Zvicrës dhe në ish-stadiumin e tij të shtëpisë, “St. Jakob-Park” në Basel.
Avdullahu, i lindur dhe rritur në Gerlafingen të Solothurn-it, ka qenë pjesë e FC Basel dhe gjatë dy viteve të fundit ka zhvilluar gjashtë ndeshje me Zvicrën U21, përfshirë edhe dy paraqitjet e fundit në mars të vitit 2025.
Sipas Blick, edhe pse pas largimit të Granit Xhakës (32) dhe Remo Freuler-it (33) pritet të hapen vende të lira në mesfushën e Zvicrës, kjo nuk e ka bindur Avdullahun që të mbetet pjesë e SFV-së. Përkundrazi, presidenti i Federatës Zvicerane, Peter Knäbel, dhe përzgjedhësi Murat Yakin kishin bërë përpjekje të fundit duke e vizituar futbollistin në Gjermani, por pa sukses.
“Si një mesfushor me cilësi të lartë, Avdullahu do të mund të merrte së bashku me Ardon Jasharin e Milanit drejtimin e mesfushës së Zvicrës, por ai zgjodhi rrugën e zemrës – Kosovën”, shkruan Blick.
