Leon Avdullahu vendos të luajë për Kosovën
Supertalenti 21-vjeçar, Leon Avdullahu, ka marrë vendimin që të përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, përmes një postimi në rrjetet sociale, të hënën në mbrëmje.
“Pritjes i erdhi fundi, Leoni është i Kosovës. Ndjej kënaqësi të ndaj me ju lajmin e madh se Leon Avdullahu, i udhëhequr nga zemra e tij, ka vendosur që të luaj për Kombëtaren e Kosovës”, ka shkruar Ademi në Facebook.
Kreu i FFK-së ka shtuar se vendimi i Avdullahut është dëshmi e lidhjes së fortë me rrënjët dhe identitetin e tij.
“Leoni me këtë vendim dëshmoi edhe një herë fuqishëm që Kosova mbetet zgjedhje zemre dhe se identiteti e prejardhja nuk mohohen. Mirë se vjen Leon, le të nisim së bashku një rrugë të gjatë e të suksesshme për ekipin kombëtar të Kosovës dhe për Ty. Të priftë e mbara me Kosovën!”, ka shkruar më tej Ademi.
Avdullahu, i cili në korrik iu bashkua klubit gjerman Hoffenheim nga Baseli, ka qenë pjesë e Zvicrës U21, për të cilën ka zhvilluar gjashtë ndeshje, si dhe i grupmoshave të tjera të shtetit helvetik.
