Joao Pedro: Dy golat ndaj Fluminenses ishin si një ëndërr
Sulmuesi i Chelseat, Joao Pedro, e përshkroi si një “ëndërr” paraqitjen e tij të shkëlqyer në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klube, ku shënoi të dy golat në fitoren 2:0 ndaj Fluminenses.
“Mendoj se ishte një ëndërr. Nuk mendoj se mund të kishte qenë më mirë – dy gola. Tani duhet të mendojmë për finalen. Jam shumë i lumtur që shënova sot”, tha ai pas ndeshjes.
Pedro, që më parë ka qenë pjesë e Fluminenses në Brazil, tregoi respekt për ish-klubin e tij:
“Jam i lumtur që shënova golin tim të parë për Chelsean, por e di që ky turne është shumë i rëndësishëm për Fluminensen. Mund të kërkoj vetëm falje, por duhet të jem profesionist. Luaj për Chelsean, ata më paguajnë për të shënuar gola dhe sot isha i lumtur që bëra pikërisht këtë.”
Trajneri Enzo Maresca i besoi vendin e titullarit në këtë përballje, dhe Pedro tregon bisedën që kishte me të:
“Ai më tha të luaja njësoj siç luajta në ndeshjen e fundit. Kisha më shumë kohë për të bërë lojën time dhe jam i lumtur që kontribuova me gola. E rëndësishme është që skuadra fitoi dhe luajti mirë.”
Pedro shtoi se është duke punuar vazhdimisht për të përmirësuar veten:
“Përpiqem të përmirësohem çdo ditë në stërvitje. E di që është e vështirë, por bashkëlojtarët më ndihmojnë shumë. Tani duhet të pushojmë dhe të përqendrohemi te finalja, sepse do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme.”
Sulmuesi brazilian shpreson të fitojë trofeun e tij të parë me Chelsean në finalen e së dielës:
“Do të jetë gjithashtu titulli im i parë. Erdha vetëm një javë më parë dhe tashmë jam në një finale. Jam shumë i lumtur. Ekipi më ka pritur shumë mirë dhe tani duhet të ecim përpara.”
