Isufi: Malisheva e gatshme për sfidën ndaj Víkingur Reykjavík, synojmë të ruajmë stilin tonë të lojës
Trajneri i FC Malishevës, Bekim Isufi, është shprehur optimist para ndeshjes së nesërme në Ligën e Konferencës kundër Víkingur Reykjavík , skuadër me përvojë të madhe në arenën evropiane. Në konferencën për media, ai theksoi se ekipi është përgatitur me kujdes dhe do të tentojë të ruajë stilin e lojës që i dha sukses në kampionatin vendor.
“Jemi përgatitur me kujdes kundër një kundërshtari që ka respektin e të gjithëve. E kemi analizuar stilin e tyre, por nuk do të heqim dorë nga loja jonë – ajo që na kualifikoi në Evropë. Për të kaluar tutje, do të na duhen ndoshta 180 minutat më të mira në histori të klubit”, deklaroi Isufi.
Ai e cilësoi rikthimin në garat evropiane si një përvojë të veçantë, duke rikujtuar debutimin e tij me Dritën para 8 vitesh.
“Për mua është një emocion ndryshe. Në herën e parë ishim pa përvojë, por tani është një rikthim që vjen me më shumë pjekuri. Është ndjenjë që nuk përshkruhet – të përfaqësosh një klub kosovar në Evropë është gjithmonë privilegj”, shtoi trajneri.
Isufi tha se skuadra nuk ka pësuar lëndime dhe se përgatitjet kanë shkuar sipas planit. Ai pranoi se nuk janë bërë shumë përforcime gjatë verës, por insistoi se forca e Malishevës qëndron në stabilitetin e grupit.
“Kemi sjellë vetëm një sulmues dhe një lojtar tjetër nga Laçi. Por grupi aktual është i fortë dhe i bashkuar. Kjo është forca jonë më e madhe. Kemi kaluar shumë vështirësi së bashku dhe kjo më ndihmon shumë në komunikim me ekipin”, tha ai.
Trajneri foli edhe për mungesën e Drilon Hazrollajt, të cilin e cilësoi të pazëvendësueshëm në këtë fazë.
“Është shumë e vështirë të zëvendësohet një lojtar si Hazrollaj. Megjithatë, si klub, kemi qenë gjithmonë të kujdesshëm në afrimin e lojtarëve. Nuk kemi buxhet si disa klube tjera në Superligë, por synojmë të sjellim futbollistë me cilësi dhe përgjegjësi”, u shpreh Isufi.
Pavarësisht sfidave financiare dhe përballjes me një kundërshtar të fortë, trajneri i Malishevës u shfaq i bindur se ekipi i tij do të japë më të mirën në këtë duel evropian.
