Ademi: Koordinim dhe vizion i përbashkët për të ardhmen e futbollit kosovar
Trajnerët e ekipeve kombëtare të Kosovës, në të dy konkurrencat, janë mbledhur sot në një takim të organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, në kuadër të strategjisë zhvillimore të institucionit.
Pjesë e këtij takimi ishte edhe përzgjedhësi i Kombëtares A, Franco Foda, si dhe anëtarët e Departamentit Teknik të FFK-së. Në fokus të diskutimeve ishin shkëmbimi i informatave dhe përvojave ndërmjet trajnerëve, koordinimi i planeve të punës dhe përcaktimi i strategjive afatshkurta dhe afatgjata për zhvillimin e talenteve në të gjitha grupmoshat.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka vlerësuar rëndësinë e këtyre takimeve të rregullta dhe ka shprehur mbështetjen e pakushtëzuar për trajnerët kombëtarë.
“Koordinim dhe vizion i përbashkët për të ardhmen e futbollit kosovar. Në kuadër të strategjisë zhvillimore të Federatës së Futbollit të Kosovës, sot janë mbledhur sërish trajnerët e ekipeve kombëtare, në të dy konkurrencat, së bashku me Departamentin Teknik të FFK-së,” ka shkruar Ademi.
Ai ka theksuar se FFK do të vazhdojë të ofrojë të gjitha kushtet e nevojshme për punë profesionale në nivel të lartë.
“Përzgjedhësi i Kombëtares A, Franco Foda, si dhe të gjithë përzgjedhësit e grupmoshave, do të kenë gjithmonë përkrahjen e FFK-së. Ne do të vazhdojmë t’iu mundësojmë të gjitha kushtet e nevojshme për zhvillimin e punës së tyre me standarde të larta profesionale,” ka shtuar ai.
Federata e Futbollit të Kosovës e ka theksuar disa herë rëndësinë e planifikimit dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet strukturave teknike si parakusht për ngritjen e nivelit të futbollit kombëtar në të gjitha nivelet.

