Historia nuk shkruhet me ‘Unë’, por me sakrificë dhe fakte
Shkruan: Fekmi Kongjeli

Historia nuk shkruhet me ‘Unë’, por me sakrificë dhe fakte
Kronologjia e paraqitur para opinionit nga Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në 10-vjetorin e pranimit të Kosovës në UEFA, gjatë një interviste në RTK me gazetarin Arlind Grantolli, ishte jo vetëm e saktë, por edhe përmbajtësore, duke i përfshirë të gjitha etapat historike të këtij rrugëtimi, pjesë e të cilave kam qenë edhe vetë në forma të ndryshme, e që zgjati padrejtësisht një çerek shekulli.
Presidenti foli edhe për akterët e këtij rrugëtimi me fakte dhe argumente, të cilët nuk kursyen asgjë që të hapen dyert e futbollit të Kosovës, të cilat ishin të blinduara nga armiqtë tanë.
Dhe duhet të jemi të sinqertë para opinionit: deri te pranimi në UEFA e FIFA, numri i atyre që kanë besuar dhe kontribuar, brenda dhe jashtë Kosovës, me kohë dhe mjete financiare, ka qenë shumë i limituar, por këta, sado të paktë, kanë qenë me zemër të madhe.
Në të njëjtën mbrëmje, në studio të tjera televizive, rrëfejnë historinë e këtij rrugëtimi akterë të cilët në periudha të ndryshme kanë qenë pjesë e strukturave të FFK-së. Disa prej tyre të punësuar e përfitues! Në kohën, kur këta me zemër të madhe që u cekën më lart ishin kontribuues dhe kurrë nuk flasin, e që dhanë gjithçka nga vetja e tyre, e ku edhe përfituesit fitonin nga ta!
Përfituesit, si zakonisht, para opinionit flasin në emrin e përvetshëm… Unë… Unë… Unë… Ndonjëherë Unë edhe Ti!
Përfitues, ju kurrë nuk mund të quheni kontribuues. Ju keni pasur obligim ta respektoni vendin e punës, për të cilin edhe jeni paguar me rrogë, mëditje apo forma të tjera!
Kontribuues janë të gjithë ata të cilët e mbajtën gjallë futbollin, duke sakrifikuar jetën e tyre në okupim. Kontribuues janë gjithashtu ata që nuk kursyen asgjë, duke shpenzuar kohë e para në forma të ndryshme për të arritur këtu ku jemi sot!
E sot, pas 10 viteve, unë ndihem i përmbushur që kam pasur fatin të jem deri më tani pjesë e këtij rrugëtimi, ku nga një varfëri e thellë është arritur një prosperitet i jashtëzakonshëm në FFK.
Janë mbi 1000 veta që krijojnë mirëqenie për familjet e veta, nga të gjitha gjeneratat e futbollit: gjenerata e artë, gjenerata e sakrificës dhe gjenerata pas pranimit!
Flamuri i shtetit të Kosovës valon në të gjitha qendrat botërore me stemën e FFK-së. Afër 15,000 futbollistë e futbolliste të regjistruara… Prezantim, mirëqenie, zhvillim dhe solidaritet, të gjitha të përfshira në kuadër të organizatës që po e bën krenar të gjithë kombin!
Historia nuk shkruhet me “Unë”! Por me fakte dhe argumente!
Dhe do të kisha shumë dëshirë që një ditë të besoj se vërtet e respektojmë këtë rrugëtim me sakrificë dhe vërtet i gëzohemi sukseseve të Kombëtares tonë, kur të heqim dorë nga “Unë” dhe nga biletat FALAS (belesh), e që do t’i shërbenin zhvillimit të futbollit!
