April 2026
M T W T F S S
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  
April 19, 2026

Hakimi përballet me gjyq penal për akuzat për përdhunim në Francë

Mbrojtësi i njohur i Paris Saint-Germain dhe përfaqësues i Marokut, Achraf Hakimi, do të dalë para një gjykate penale në Francë lidhur me një rast të dyshuar për përdhunim që daton nga viti 2023. Kështu ka bërë të ditur e përditshmja franceze Le Parisien, duke cituar prokurorinë publike të Nanterre, që ka kërkuar zyrtarisht ngritjen e aktakuzës ndaj 26-vjeçarit.

Ngjarja për të cilën po akuzohet Hakimi dyshohet të ketë ndodhur në shkurt të vitit 2023. Sipas dëshmisë së viktimës, një grua 24-vjeçare që ishte në kontakt me futbollistin përmes rrjeteve sociale, ai e kishte ftuar në banesën e tij dhe kishte porositur një mjet transporti për të. Ajo pretendon se sapo kishte mbërritur, Hakimi kishte nisur ta puthte dhe ta prekte pa pëlqimin e saj, përkundër kundërshtimeve që ajo kishte bërë në atë moment.

Sipas Le Parisien, gruaja ka deklaruar se është ndier e detyruar nga afërsia fizike dhe vetëm pas një përpjekjeje për ta shtyrë larg me këmbë, ka mundur të largohet nga banesa. E tronditur, ajo i ka dërguar mesazh një shoqeje për ta marrë, e cila më vonë ka konfirmuar gjendjen e saj pranë policisë. Të njëjtën ditë, viktima ka raportuar ngjarjen në polici, por fillimisht nuk ka ngritur kallëzim penal. Vetëm më vonë, më 3 mars 2023, Hakimi është zyrtarisht akuzuar për përdhunim dhe është vënë nën mbikëqyrje gjyqësore.

Gjatë dhjetorit 2023, palët janë përballur në një seancë ballafaqimi, ku gruaja ka ripërsëritur pretendimet e saj, ndërsa Hakimi i ka mohuar ato vazhdimisht, duke pretenduar se bëhet fjalë për një inskenim me prapavijë financiare apo një “tentativë për zhvatje”, sipas avokates së tij.

Megjithatë, më 1 gusht të këtij viti, prokuroria e Nanterre ka dalë me një vendim përfundimtar për ta dërguar çështjen në gjykatë. Avokatja e Hakimit, megjithëse e ka përshëndetur vendimin për mbylljen e hetimeve, ka quajtur ngritjen e aktakuzës si “të pakuptimtë dhe të pajustifikueshme në raport me provat në dosje”.

“Vlerësimet psikologjike kanë dëshmuar qartë për gënjeshtrat e paditëses. Ne mbetemi plotësisht të qetë dhe të bindur në pafajësinë e Hakimit. Nëse akuza vazhdon përpara, do të shfrytëzojmë të gjitha mjetet ligjore për t’u mbrojtur”, ka deklaruar ajo.

Nga fillimi i hetimeve, PSG ka vazhduar ta mbështesë lojtarin e saj, i cili, në aspektin sportiv, ka qenë në formën më të mirë të karrierës, duke u përmendur madje si kandidat për “Topin e Artë”.

Përkundër gjithçkaje, Achraf Hakimi, si çdo i akuzuar, gëzon statusin e të pafajshëm derisa gjykata të vendosë ndryshe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *