Gjilani dhe Dukagjini ndajnë pikët në një ndeshje me katër gola
Screenshot
Gjilani dhe Dukagjini kanë barazuar 2:2 në kuadër të xhiros së tretë të Superligës së Kosovës.
Ndeshja, e zhvilluar të shtunën në fushën me bari sintetik nën dritën e reflektorëve, solli katër gola dhe një duel të luftuar deri në fund.
Gjilani kaloi në epërsi në minutën e 9-të, kur Blerind Morina shënoi një supergol nga goditja e dënimit.
Dukagjini reagoi shpejt dhe në minutën e 20-të e barazoi rezultatin në 1:1 përmes Mërgim Pefqelit.
Skuadra gjilanase riktheu epërsinë në minutën e 38-të. Arbër Potoku realizoi për 2:1, rezultat me të cilin skuadrat shkuan në pushim.
Në pjesën e dytë, Dukagjini arriti të barazojë sërish. Dienit Isufi, në minutën e 54-t, shënoi për 2:2, duke i siguruar skuadrës nga Klina një pikë.
Për Gjilanin ky ishte barazimi i parë në kampionat, pas dy fitoreve në dy xhirot e para.
Ndërkohë, Dukagjini regjistroi barazimin e dytë të sezonit, krahas një fitoreje.
