Malisheva bindëse ndaj Feronikelit ’74, Uka protagonist me dy gola
Malisheva është rikthyer te fitorja në Superligën e Kosovës në futboll, duke regjistruar suksesin e dytë në këtë edicion.
Skuadra malishevas të shtunën pasdite, në kuadër të xhiros së tretë, triumfoi 3:0 në udhëtim ndaj Feronikelit ’74.
Protagonisti kryesor i kësaj fitoreje ishte Kreshnik Uka, i cili realizoi dy nga tre golat e Malishevës.
Uka e zhbllokoi rezultatin që në minutën e 10-të, duke i dhënë epërsinë skuadrës mysafire.
Malisheva e dyfishoi avantazhin në minutën e 24-t, kur Laurent Xhylani ishte i saktë nga pika e bardhë.
Në pjesën e dytë, Uka vulosi fitoren e Malishevës me golin e tij të dytë personal në minutën e 56-të, për rezultatin përfundimtar 0:3.
Me këtë fitore, Malisheva shkon në kuotën e 7 pikëve pas tri xhirove, ndërsa Feronikeli ’74 mbetet pa pikë.
Për skuadrën nga Drenasi kjo ishte disfata e tretë radhazi në kampionat.
