FSK dhuron 50 kontejnerë për FFK-në, KFOR-i mbështet transportin e tyre
Federata e Futbollit e Kosovës ka pranuar një donacion të rëndësishëm nga Forca e Sigurisë së Kosovës, në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe FFK-së, që ishte nënshkruar nga presidenti Agim Ademi dhe ministri i Mbrojtes, Ejup Maqedonci.
Bëhet fjalë për 50 kontejnerë të dhuruar nga FSK-ja, të cilët do të shërbejnë për përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e futbollit në vend.
Transporti dhe bartja e kontejnerëve është realizuar me mbështetjen e KFOR-it, i cili ka siguruar dërgimin e tyre në lokacionet e përcaktuara nga FFK.
“Këta kontejnerë do të vendosen në Kampin Nacional të FFK-së në Bërnicë, si dhe në disa stadiume anembanë Kosovës që aktualisht nuk disponojnë zhveshtore, duke krijuar kushte më të mira për klubet, futbollistët dhe zhvillimin e aktiviteteve sportive.
Ky projekt paraqet një shembull konkret të bashkëpunimit institucional në funksion të zhvillimit të sportit dhe rinisë në Kosovë, duke kontribuar drejtpërdrejt në avancimin e infrastrukturës sportive”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Tutje thuher se Presidenti Agim Ademi shpreh mirënjohje dhe falënderon Ministrinë e Mbrojtjes për gatishmërinë për të mbështetur FFK-në, Forcën e Sigurisë së Kosovës për këtë donacion të çmuar, si dhe KFOR-in për mbështetjen logjistike në transportin e kontejnerëve. Mbështetja e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare mbetet e rëndësishme për realizimin e projekteve që ndikojnë në zhvillimin e futbollit dhe krijimin e kushteve më të mira për gjeneratat e reja.
“Përveç këtij bashkëpunimi, sigurisht që FFK-ja po përgatit edhe projekte të reja për të thelluar bashkëpunimin me FSK-në, me synimin që të krijohen formate të përbashkëta garash. FSK deri më tash në vazhdimësi ka qenë e pranishme në të gjitha manifestimet dhe turnetë tona prestigjioze, por tash e tutje synohet krijimi i një formati të ri gjithëpërfshirës, që do ta forcojë edhe më tej lidhjen ndërmjet FFK-së dhe institucioneve të sigurisë në vendin tonë”, thuhet tutje në njoftim.

