Vdes në moshë të re futbollisti Bajram Rragamaj, FFK me telegram ngushëllimi
Sot në varrezat e fshatit Skijanë do të varroset futbollisti 24-vjeçar i KF Dukagjinit të Gjakovës, Bajram Rragamaj, i cili ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të rëndë.
Sipas njoftimit të familjes, ceremonia e varrimit do të nisë në orën 17:00.
I riu ishte pjesë e KF Dukagjinit dhe njihej si sportist premtues, ndërsa prej kohësh kishte qenë duke u përballur me një sëmundje të rëndë.
Telegram ngushëllimi për familjen dhe klubin Dukagjini ka dërguar presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
Telegrami i FFK-së
E nderuara familje Rragamaj,
Të nderuar drejtues dhe staf i KF Dukagjini – Gjakovë
Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Bajram Rragamajt.
Në emrin tim personal, të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të gjithë komunitetit të futbollit në vend, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të rëndë.
Bajrami do të kujtohet përherë si njeri i përkushtuar, me vlera të larta njerëzore dhe me dashuri të veçantë për futbollin. Me karakterin e tij, respektin ndaj të tjerëve dhe angazhimin e vazhdueshëm në futboll, ai la gjurmë te të gjithë ata që patën rastin ta njohin dhe të ndajnë rrugëtimin sportiv me të.
Largimi i tij i hershëm nga kjo botë lë një zbrazëti të madhe, jo vetëm për familjen dhe miqtë, por edhe për gjithë komunitetin sportiv.
Në këto çaste të vështira, ndajmë dhimbjen me familjen Rragamaj, me të afërmit, miqtë, bashkëlojtarët dhe të gjithë ata që e deshën dhe e vlerësuan Bajramin.
Qoftë i përhershëm kujtimi për të!
Me respekt,
Agim Ademi
President i Federatës së Futbollit të Kosovës
