Flick: Disa lojtarë ende pa u regjistruar, por Barcelona gati për startin ndaj Mallorcës
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, shprehu pakënaqësinë e tij të premten për faktin se disa lojtarë ende nuk janë regjistruar në La Liga për sezonin e ri, përfshirë Joan García, Marcus Rashford dhe Gerard Martín, por tha se i beson klubit që do t’i ketë të gatshëm për ndeshjen hapëse ndaj Mallorcës.
“Situata nuk më bën të lumtur, por i besoj klubit. Duhet të presim deri nesër”, tha Flick, duke kujtuar se e njëjta gjë kishte ndodhur edhe sezonin e kaluar.
Gjermani, i cili fitoi tre trofe në sezonin e parë me Barcelonën, tha se ekipi është “gati për nisjen e sezonit 2025-26” dhe se lojtarët kanë treguar “cilësi të lartë” në stërvitjet e fundit.
Për transferimin e portierit Joan García, Flick tha se ishte “një vendim i përbashkët” dhe e përshkroi atë si “një portier të madh”, ndërsa theksoi se pas tij skuadra ka edhe Wojciech Szczesny.
Lamine Yamal, sipas Flick, po stërvitet mirë “me dhe pa top” dhe është “në rrugën e duhur” për t’u përmirësuar, ndërsa për Marc-André ter Stegen, trajneri kërkoi “komunikim të vazhdueshëm” dhe gatishmëri maksimale për lojë.
Flick foli edhe për mungesën afatgjatë të Marc Bernal, duke cituar mjekun Ricard Pruna se lojtari mund të mungojë për një vit, por shtoi se mesfushori po punon fort për t’u rikuperuar.
Ai pranoi se konkurrenca në mesfushë është e madhe dhe se “nuk është gjithmonë e lehtë të zgjedhësh”, por theksoi se objektivat e sezonit nuk kufizohen vetëm te titujt, por edhe te progresi dhe rafinimi i stilit të lojës.
Sa i përket zërave për një ndeshje të mundshme në Miami, Flick tha se nuk është e konfirmuar dhe se fokusi i tij është te Mallorca.
“Nëse fiton tre trofe, nuk është fundi, por vazhdimësia”, tha ai. “Duhet të përmirësohemi dhe të fitojmë çdo ndeshje. E dimë që do të jetë e vështirë”.
