Feronikeli promovohet në Superligën e femrave, Llapi zbret në Ligën e Parë
Skuadra e Feronikelit ka siguruar të drejtën e pjesëmarrjes në Superligën e Kosovës në konkurrencën e femrave për edicionin e ardhshëm, pas fitores në ndeshjen e barazhit ndaj Llapit me rezultat 2:1.
Kjo ndeshje u zhvillua në Kampin Nacional në Hajvali, pas përfundimit të edicionit të rregullt, ku Llapi e mbylli sezonin në pozitën e pestë (të parafundit) në Superligë, ndërsa Feronikeli përfundoi në vendin e dytë në Ligën e Parë, duke fituar të drejtën për të luajtur në barazh.
Llapi kaloi i pari në epërsi në minutën e 24-t me golin e Liridona Gashit. Megjithatë, Feronikeli reagoi fuqishëm dhe barazoi shifrat në minutën e 43-të me golin e sulmueses Erolinda Smakiqi. Vetëm dy minuta pas rifillimit të pjesës së dytë, ishte sërish Smakiqi që realizoi për 2:1, duke kompletuar përmbysjen dhe siguruar fitoren vendimtare për ekipin nga Drenasi.
Me këtë rezultat, Feronikeli i bashkohet Prishtinës si anëtare të reja në Superligë për edicionin 2025/26, ndërkohë që Llapi zbret në Ligën e Parë së bashku me Kosovën VR, që më herët kishte humbur statusin elitar.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka uruar klubin nga Drenasi për këtë arritje:
“Urime KFF Feronikeli promovimi në Superligë
Fitorja në ndeshjen e barazhit ndaj Llapit (2:1) është dëshmi e përkushtimit, punës së palodhshme dhe vullnetit të vashave nga Drenasi për të qenë pjesë e elitës së futbollit tonë. Me këtë sukses, Feronikeli i bashkohet Prishtinës, si anëtare të reja në Superligën e vajzave për edicionin 2025/26.
Ju përgëzojmë për këtë arritje dhe ju urojmë suksese dhe progres të mëtejshëm në edicionin e ri.
Futbolli i vajzave në Kosovë po rritet me hapa të sigurt nën kujdesin e FFK-së dhe me mbështetjen e UEFA-s e FIFA-s dhe ju pa dyshim jeni pjesë e këtij rrugëtimi!
Urime futbollisteve, stafit, drejtuesve të klubit dhe të gjithë qytetarëve të Drenasit”, ka shkruar Ademi.
