FC Prishtina e pafat, eliminohet pas penalltive nga FC Larne në Ligën e Konferencës
Ëndrra evropiane e FC Prishtina për këtë sezon ka marrë fund në mënyrën më të dhimbshme, pas eliminimit me penallti nga FC Larne i Irlandës së Veriut, në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës.
Ndeshja e kthimit e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” u mbyll me rezultat 1:1 pas kohës së rregullt, ndërsa rezultati i përgjithshëm pas dy ndeshjeve ishte 1:1 (ndeshja e parë përfundoi 0:0). Pas vazhdimeve nuk pati ndryshim rezultati dhe fituesi u përcaktua përmes penalltive, ku mysafirët u treguan më të saktë, duke fituar 5:4.
Prishtina e nisi fuqishëm ndeshjen, duke kaluar në epërsi në minutën e 10-të me golin e Gjelbrim Taipit, pas një aksioni të bukur të bardhekaltërve.
Në pjesën e dytë, skuadra nga Irlanda e Veriut u rikthye në lojë përmes golit të Dan Bent në minutën e 56-të, duke përfituar nga një moment pasigurie në mbrojtjen prishtinase.
Megjithë përpjekjet e vazhdueshme në fundin e ndeshjes, Prishtina nuk arriti të shënojë. Në minutat e fundit të vazhdimeve, Rin Ahmeti dribloi mjeshtërisht tre kundërshtarë, por goditjen e tij e ndali portieri, ndërsa Blend Baftiu provoi nga distanca, pa sukses.
Në serinë e penalltive dy futbollistë të Prishtinës nuk arritën të realizojnë, duke e bërë të pavlerë pritjen e një gjuajtje të kundërshtarëve nga portieri Ardit Nika.
