April 2026
M T W T F S S
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  
April 19, 2026

Ballkani kualifikohet në raundin e tretë të Ligës së Konferencës

Ballkani i Suharekës është kualifikuar në raundin e tretë të Ligës së Konferencës. Nënkampioni i Kosovës në futboll e eliminoi Florianan e Maltës, ndërsa ndeshja e parë doli të jetë vendimtare.
Ballkani kishte fituar 4:2 në ndeshjen e së martës së javës së kaluar, të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Të enjten mbrëma në Paola të Maltës, suharekasit barazuan 1:1 me Florianan. Me rezultatin e përgjithshëm 5:3, Ballkani avancon tutje.

Në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, Ballkani përballet me Shamrock Roversin e Irlandës së Veriut.

Në ndeshjen e së enjtes, Floriana kaloi në epërsi 1:0 në minutën e 38-të. Dunstan Vella ishte realizator.
Kur pritej që pjesa e parë të përfundonte 1:0, në skenë doli sulmuesi nigerian i Ballkanit, Sunday Adetunji. Ai shënoi për 1:1 në minutën e parë shtesë. Adetunji realizoi me goditje të ulët nga distanca. 

Pjesa e dytë nuk dha gola, ndërsa Ballkani ia doli të mbajë rezultatin 1:1, përkatësisht epërsinë prej dy golave nga ndeshja e parë.

Ballkani e kërkon fazën e ligës në Conference League. Për këtë i duhet të kalojë edhe dy kundërshtarë. Suharekasit ishin dy herë në fazën grupore të Ligës së Konferencës, në edicionet 2022/2023 dhe 2023/2024. Faza grupore vjet u zëvendësua me fazë të ligës. 

Ballkani vjet u ndal në raundin e tretë kualifikues, ndërsa këtë herë vlerësohet me gjasa të mira për të kaluar të paktën në plejof.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *