Dukagjini merr një pikë të vlefshme në Malishevë, vazhdon luftën për mbijetesë

Dukagjini ka arritur të marrë një pikë të rëndësishme në stadiumin “Liman Gegaj”, duke barazuar 1:1 me Malishevën në ndeshjen e javës së 32-të të Superligës së Kosovës.
Skuadra nga Klina kaloi në epërsi në minutën e 59-të përmes Mërgim Pefqelit, i cili realizoi saktë nga penalltia. Megjithatë, vendasit reaguan në fundin e takimit. Në minutën e 85-të, Drilon Hazrollaj shënoi një gol spektakolar nga distanca, duke i siguruar Malishevës një pikë pas tri disfatave të njëpasnjëshme.
Dukagjini aktualisht ka 41 pikë dhe ndodhet në vendin e gjashtë, vetëm një pikë më shumë se Prishtina, e cila sonte nga ora 20:00 pret Ballkanin. Një fitore e mundshme e prishtinasve do t’i rikthente ata në pozitën e gjashtë.
Nga ana tjetër, Malisheva me këtë barazim arrin në kuotën e 48 pikëve dhe mban vendin e tretë në renditje, pozitë kjo që siguron pjesëmarrjen në garat evropiane.