Drita shkruan histori, kualifikohet në fazën e ligës të UEFA Conference League

FC Drita ka shkruar një kapitull të artë në historinë e futbollit kosovar. Të enjten mbrëma në Differdange të Luksemburgut, kampionia e Kosovës mposhti kampionin vendas, Differdange 03, me rezultat 1:0, duke siguruar kualifikimin historik në fazën e ligës të UEFA Conference League.

Kjo do të thotë se Drita tashmë e ka të garantuar pjesëmarrjen në të paktën gjashtë ndeshje evropiane, ndërkohë që përfaqëson skuadrën e dytë kosovare pas Ballkanit që arriti në këtë nivel, por të parën që do të luajë në fazën e ligës – format që ka zëvendësuar fazën grupore nga edicioni i kaluar.

Goli i fitores erdhi në minutën e 62-të, kur Besnik Krasniqi u tregua i saktë nga pika e bardhë. Penalltia u akordua pas ndërhyrjes ndaj Veton Tushës, me VAR-in që konfirmoi vendimin e arbitrit.

Drita pati një fillim ideal të ndeshjes, pasi që në minutën e tretë vendasit mbetën me një lojtar më pak, kur sulmuesi Andreas Buch u ndëshkua direkt me të kuq për një ndërhyrje të ashpër ndaj Raddy Ovoukan.

Në pjesën e parë, gjilanasit ishin pranë golit me goditjen e Ilir Mustafës që përfundoi në shtyllë, por shifrat mbetën 0:0. Pjesa e dytë solli më shumë rrezik në të dyja portat: Drita shënoi golin e epërsisë dhe pati raste të tjera, ndërsa Faton Maloku u tregua vendimtar me pritje të sigurta në momentet e presionit të Differdanges.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *