Drita pëson humbje nga Celje me gol të sekondave të fundit
Screenshot
Kampionia e Kosovës,Drita u mposht me rezultat 3:2 nga skuadra sllovene, Celje në ndeshjen e parë të “play-off”-it të fazës nokaut të Ligës së Kombeve, që u zhvillua të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në prani të një numri simbolik të tifozëve.
Ndonëse skuadra gjilanase arriti të rikthehej nga disavantazhi prej dy golave dhe ta barazonte rezultatin në 2:2, mysafirët realizuan golin e fitores në minutën e katërt shtesë (94’).
Celje kaloi në epërsi në minutën e 19-të me golin e Armandas Kučys, ndërsa avantazhin e dyfishoi Milot Avdyli për 2:0. Para këtyre golave, Drita krijoi dy mundësi të mira shënimi me Kristal Abazajn (6’) dhe Albert Dabiqajn (10’), por pa arritur nuk arriti të gjejë golin.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani reagoi në pjesën e dytë me inkuadrimin e Blerim Krasniqit dhe Liridon Balajt, vendim që rezultoi i qëlluar.
Krasniqi ngushtoi epërsinë në 2:1 në minutën e 59-të, pas asistimit nga Balaj, ndërsa ky i fundit realizoi vetë në minutën e 75-të për 2:2, duke rikthyer shpresat e kampiones së Kosovës.
Megjithatë, në çastet e fundit të takimit, Matej Poplatnik realizoi për 3:2 me gjuajtje me kokë, duke i siguruar Celjes një avantazh minimal para ndeshjes së kthimit, që do të zhvillohet më 26 shkurt. Drita mbetet në garë për kualifikim, pasi rezultati i ngushtë lë hapësirë reale për përmbysje në transfertë.
