Drita kap kreun, fitojnë edhe Gjilani dhe Ferizaj
Në kuadër të javës së 21-të të Superligës së Kosovës në futboll, Drita ka arritur një fitore të rëndësishme në udhëtim, duke e mposhtur Llapin me rezultat 0:2. Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Ramiz Sadiku” në Prishtinë, për shkak të punimeve në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Pjesa e parë e takimit ishte e baraspeshuar, me raste për të dyja skuadrat, por pa gola. Zhbllokimi erdhi në minutën e 64-t, kur Blerton Sheji realizoi për epërsinë e mysafirëve. Në minutat shtesë, Veton Tusha vulosi rezultatin final, duke shënuar për 0:2 pas një depërtimi të bukur në zonën e Llapit. Me këtë fitore, Drita rikthehet në krye të tabelës me 38 pikë, ndërsa Llapi mbetet i shtati me 22 pikë.
Fitore të rëndësishme ka shënuar edhe Gjilani, i cili në stadiumin e vet e mundi Prishtinën me rezultat minimal 1:0. Golin e vetëm të takimit e realizoi Edi Basha në minutën e 37-të me një goditje të fuqishme nga distanca.
Tri pikë të mëdha ka arkëtuar edhe FC Ferizaj, duke e mposhtur liderin e deritashëm, Ballkanin, me rezultat 2:1. Ruben Silva-Richards kaloi vendasit në epërsi në minutën e 9-të, ndërsa Almir Kryeziu barazoi për Ballkanin nga penalltia dhjetë minuta më vonë. Richards vulosi fitoren për Ferizajn në minutën e 36-të, duke i siguruar skuadrës tri pikë shumë të rëndësishme.
