Del Piero: Como është vetëm në fillim, përralla vazhdon
Alessandro Del Piero ishte i pranishëm në stadium për të përjetuar nga afër fitoren e parë historike të Comos në Champions League. Ish-kapiteni i Italisë foli pas ndeshjes për “CBS Sports”, duke shprehur entuziazmin për atë që po ndodh me klubin dhe qytetin.
“Kjo mbrëmje ishte speciale. Rezultati, fitorja e parë në Europë, entuziazmi i njerëzve… Kishte shumë gjëra speciale. Jam super i lumtur për këtë qytet. Si përfaqësuese e Italisë, erdhi edhe fitorja e parë e këtij edicioni të Champions-it. Të bëjmë tifo për Comon”, deklaroi Del Piero.
Ish-ylli i Juventusit u ndal edhe te paraqitja e skuadrës së drejtuar nga Cesc Fabregas, duke vlerësuar organizimin dhe energjinë e saj.
“Janë shumë mirë të organizuar dhe kanë shumë energji. Dominuan ndeshjen dhe e kontrolluan shumë mirë. Pyetja është nëse do të arrijnë ta bëjnë këtë gjatë gjithë sezonit, duke luajtur çdo tri ditë. Por janë fantastikë. Të gjithë janë të lumtur, nga Fabregas te lojtarët. Pronarët kanë një harmoni të madhe me stafin dhe futbollistët”.
Sa i përket Nico Paz, një prej emrave më të komentuar të Comos, Del Piero paralajmëroi se vëmendja ndaj tij do të jetë e madhe.
“Do t’i kenë të gjithë sytë mbi të, por te Como ka edhe shumë të tjera. Ata e dinin se duhej të punonin fort dhe e bënë”.
Në fund, Del Piero e përmblodhi gjithçka me një mesazh të qartë: “Përralla vazhdon. Është vetëm fillimi.”
