Dardanet gati për nisjen e kualifikimeve, Memeti dhe Misini: Synimi janë tri pikët ndaj Gjibraltarit

Kombëtarja e Kosovës (vajzat) ka zhvilluar sot seancën e fundit stërvitore para ndeshjes së parë në kuadër të Grupit 2 të Ligës C për kualifikimet e Kupës së Botës kundër Gjibraltarit. Kjo ndeshje luhet, të martën, në orën 17:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Në stërvitjen e sotme, përzgjedhësi Sami Sermaxhaj është fokusuar në aspektin taktik dhe në lojën që ekipi synon ta paraqesë në fushë. Dardanet janë plotësisht të gatshme dhe maksimalisht të motivuara për këtë duel, me synimin që me përkushtim dhe vendosmëri ta dëshmojnë në fushë se kanë cilësi më të larta se kundërshtaret. 

Kapitenja Erëleta Memeti në prag të duelit me Gjibraltarin është shprehur optimiste. “Këtë herë kemi pasur më shumë kohë për përgatitje, prandaj kemi mundur të punojmë edhe më mirë. Kemi pasur dy ditë shtesë dhe besoj se skuadra ka arritur ta kuptojë më mirë idenë e lojës, sidomos në ndërtimin e aksioneve. Kemi edhe dy-tri lojtare të reja, disa prej tyre që janë grumbulluar për herë të parë, por besoj se të gjitha e kanë kuptuar konceptin e lojës dhe jemi gati për një paraqitje të mirë nesër”, tha Mehmeti.

Edhe pse në letër Gjibraltari vlerësohet kundërshtar i lehtë, sipas Memetit, ato nuk do ta nënçmojnë kundërshtarin në fushë. ”Kemi respekt maksimal për Gjibraltarin dhe ne duhet të tregojmë se jemi edhe në letër edhe në fushë më të mira. Pra, njëherë duhet të tregojmë performancën në fushë, e pastaj të shohim se kush është më i mirë në fushë”, shtoi Memeti.

E optimiste për ta nisur mbarë këtë cikël të ri kualifikues është shprehur edhe Lumbardha Misini. 

“Besoj që krejt ekipi është në formë të mirë, pasi të gjitha vajzat kemi ardhur nga kampionatet aktive. Këto gjashtë ditë kemi pasur mundësi të stërvitemi rregullisht dhe të komponohemi si ekip. Të gjitha lojtaret kanë punuar shumë mirë dhe jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen kundër Gjibraltarit. Synimi ynë është i qartë, të marrim tre pikët, duke ditur se objektivi ynë mbetet i njëjtë, pra ta kalojmë grupin dhe të ngjitemi në Ligën B. Jemi përgatitur për fitore dhe besojmë se do ta arrijmë atë”, tha Misini.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *