Dardanet fitojnë me gol në ‘frymën e fundit’ ndaj Bullgarisë me përmbysje në “Fadil Vokrri”
Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka shënuar fitoren e katërt radhazi në kuadër të Ligës C (Grupi C2) të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027, duke e mposhtur Bullgarinë me rezultat 2:1 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ndeshja nisi me dominim të Dardaneve, të cilat krijuan disa raste të mira shënimi, por pavarësisht kësaj, ishin mysafiret që kaluan në epërsi në minutën e 42-të përmes Lora Petrova.
Në pjesën e dytë, ekipi i udhëhequr nga Sami Sermaxhaj reagoi duke rritur intensitetin e lojës, gjë që u reflektua edhe në rezultat. Barazimi erdhi në minutën e 52-të, kur Blerta Smaili shfrytëzoi një gabim të portieres kundërshtare dhe realizoi për 1:1.
Kur ndeshja po i afrohej fundit dhe dukej se do të mbyllej në barazim, në skenë doli kapitenia Erëleta Memeti. Në minutën e 96-të, pas asistimit nga Donjeta Halilaj, Memeti realizoi golin e fitores, duke ndezur festën në stadium dhe duke i siguruar Kosovës tre pikë shumë të rëndësishme.
Pas katër ndeshjeve të zhvilluara, Kosova kryeson Grupin C2 me 12 pikë të plota, me bilanc mbresëlënës prej 12 golave të shënuar dhe vetëm dy të pranuar. Kroacia renditet e dyta me 9 pikë, ndërsa Bullgaria ka 3 pikë. Gjibraltari mbetet pa pikë në fund të tabelës.
Dardanet janë tashmë shumë pranë realizimit të objektivit për vendin e parë në grup, i cili siguron pjesëmarrjen në “play-off” për kualifikim në Kupën e Botës 2027, si dhe promovimin në Ligën B për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.
Në dy ndeshjet e fundit të këtij cikli kualifikues, Kosova do të përballet fillimisht me Kroacinë më 5 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri”, në një duel vendimtar për vendin e parë, ndërsa më 9 qershor do të luajë në udhëtim ndaj Gjibraltarit.
