Dukagjini i jep fund serisë së gjatë pa fitore, mposht Gjilanin në dramë
Dukagjini ka arritur një fitore shumë të rëndësishme në AlbiMall Superligën e Kosovës, duke e mposhtur Gjilanin me rezultat 3:2 në ndeshjen e xhiros së 29-të, të zhvilluar të dielën në terrenin me bar sintetik në Gjilan.
Kjo është fitorja e parë për skuadrën nga Klina pas katër muajsh e gjysmë, pasi suksesi i fundit kishte ardhur më 30 nëntor ndaj Llapit në udhëtim. Që nga ajo kohë, Dukagjini kishte kaluar një seri prej nëntë barazimesh dhe katër humbjesh, duke e bërë këtë triumf edhe më të vlefshëm.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 23-të, kur Altin Merlaku realizoi nga afërsia pas një penalltie të pritur fillimisht nga portieri Agron Kolaj, por të kthyer më pas në gol nga sulmuesi i klinasve.
Gjilani u rikthye në lojë në minutën e 51-të me golin e Robert Rrahmanit, por reagimi i Dukagjinit ishte i shpejtë, me Dienit Isufin që shënoi për 2:1 vetëm pesë minuta më vonë.
Vendasit nuk u dorëzuan dhe sfida mori përmasa dramatike në fund. Udoyen Akpan barazoi shifrat në minutën e 92-të, por vetëm tre minuta më vonë, Dardan Morina realizoi golin e fitores për Dukagjinin, duke siguruar triumfin 3:2.
Me këtë fitore, Dukagjini ngjitet në vendin e gjashtë me 38 pikë, ndërsa Gjilani mbetet në pozitën e pestë me 43 pikë, duke e bërë garën për pjesën e epërme të tabelës edhe më interesante në javët e fundit të kampionatit.
