Besnik Krasniqi: I lumtur për golin dhe kualifikimin historik
Besnik Krasniqi, futbollisti i Dritës, ishte protagonist në kualifikimin historik të klubit gjilanas në fazën e ligës së UEFA Conference League. Krasniqi shënoi golin e vetëm dhe vendimtar në ndeshjen e kthimit të plejofit ndaj Differdange 03, duke vulosur suksesin me rezultat të përgjithshëm 3:1.
“Jam shumë i lumtur për fitoren dhe që goli im ishte vendimtar. Ishim pak nën presion, pasi e kemi ditur se është natë historike, dhe ia dolëm. Jam i lumtur për tifozët e Dritës, por edhe për presidentët që kanë bërë punë të jashtëzakonshme dhe e merituan këtë sukses”, deklaroi Krasniqi pas ndeshjes.
Lojtari e ka cilësuar këtë si suksesin më të madh të karrierës së tij, por shtoi se ky është vetëm fillimi:
“Ky është suksesi më i madh në karrierën time, por nuk është fundi. Kemi ende punë përpara. Në fazën e grupeve do të jemi më të qetë dhe do të zhvillojmë lojëra më të mira. Kishim presion si favoritë, por e menaxhuam mirë dhe u shpërblyem në fund. Falënderoj tifozët dhe familjen time”, përfundoi Krasniqi.
Kualifikimi i Dritës në fazën e ligës është një moment historik për klubin dhe futbollin kosovar, ndërsa Besnik Krasniqi do të mbetet si hero i ndeshjes vendimtare.
