Ademi: Natë magjike për futbollin kosovar, urime FC Drita
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, përmes rrjeteve sociale ka uruar FC Dritën për suksesin historik në UEFA Conference League.
“Urime Drita FC për këtë arritje historike. Një natë magjike për futbollin tonë në Luksemburg”, shkruan Ademi, duke vlerësuar rëndësinë e kualifikimit për klubin dhe për futbollin kosovar në arenën evropiane.
FC Drita siguroi vendin në fazën e ligës pas fitores 1:0 në ndeshjen e kthimit ndaj Differdange 03, duke e mbyllur çiftin me shifrat e përgjithshme 3:1. Presidenti Ademi përgëzoi futbollistët, stafin teknik, drejtuesit e klubit dhe tifozët “Intelektualët” për përkushtimin dhe punën e palodhur gjatë këtij rrugëtimi.
Sipas tij, ky sukses dëshmon organizimin e mirë të klubit, shpirtin luftarak të futbollistëve dhe punën e dedikuar të stafit teknik në krye me trajnerin Zekirija Ramadani. Ai shtoi se kualifikimi i Dritës është edhe një dëshmi e rritjes së nivelit të futbollit kosovar dhe i një kampionati me plasman meritor që prodhon klube të afta për të konkuruar në arenën ndërkombëtare.
