Barcola flet si lojtar i Liverpoolit: Do të jap gjithçka për këtë klub, shpresoj ta fitojmë Ligën Premiere

Bradley Barcola ka dhënë intervistën e parë si futbollist i Liverpoolit, pasi përfundoi transferimin e tij nga Paris Saint-Germain dhe nënshkroi kontratë afatgjatë me klubin anglez.

Sulmuesi francez nuk e fshehu kënaqësinë për transferimin te “Reds”-at, duke theksuar se atmosfera në “Anfield” ishte një prej arsyeve kryesore që e bindi të pranonte ofertën e Liverpoolit.

“Është një krenari e madhe të luaj për Liverpoolin. Jam shumë i lumtur. Zgjati shumë, por sot jam vërtet i lumtur që mund të luaj për Liverpoolin. Gjithçka që dua është të jem në fushë dhe të luaj”, deklaroi Barcola.

23-vjeçari tregoi se ditët e fundit i kishte kaluar pranë familjes, duke pritur me qetësi për finalizimin e marrëveshjes.

“Kur e pashë lajmin, isha shumë i lumtur dhe i rrethuar nga njerëzit që dua më shumë. E festuam së bashku dhe tani shpresojmë ta shijojmë këtë moment këtu”, tha ai.

Atmosfera në “Anfield” e bindi

Barcola kishte përjetuar atmosferën e “Anfield” si kundërshtar, pasi kishte luajtur dy herë në këtë stadium me PSG-në në fazat eliminatore të Ligës së Kampionëve.

“Është pasioni i tifozëve. Kisha mundësinë të luaja dy herë në këtë stadium dhe pashë atmosferën dhe mënyrën se si tifozët qëndronin pas lojtarëve të Liverpoolit. Kur mësova për interesimin e Liverpoolit, nuk bëra shumë pyetje. E dija se ishte një klub shumë i madh për mua”, u shpreh francezi.

Tani, ai mezi pret ta përjetojë këtë atmosferë në anën tjetër.

“Thjesht dua të luaj, kjo është gjithçka që pres. Do të jetë e jashtëzakonshme. Kur dëgjova se Liverpooli ishte i interesuar për mua, mendova menjëherë për atmosferën në stadium. Është vetëm një gëzim të luash për një klub të tillë.”

“Dua të sjell shpejtësi dhe rrezik”

Barcola e përshkroi edhe stilin e tij të lojës dhe atë që synon t’i sjellë skuadrës së Andoni Iraolës.

“Dua të sjell shpejtësi dhe rrezik. Mendoj se stili i lojës së trajnerit dhe stili im janë shumë të ngjashëm, ndaj besoj se mund t’i shtoj këtij ekipi edhe më shumë nga këto elemente.”

Ai beson se karakteristikat e tij janë të përshtatshme për futbollin anglez.

“Po, mendoj se jam i përshtatur për Premierligën. Kam luajtur disa herë kundër skuadrave të Premierligës dhe mendoj se cilësitë e mia janë shumë të përshtatshme për këtë kampionat.”

Ekitike e priste te Liverpooli

Barcola do të gjejë te Liverpooli edhe bashkëkombësin e tij Hugo Ekitike, me të cilin është njohur gjatë grumbullimeve me kombëtaren franceze.

“Kam folur me Hugon. E takova te kombëtarja franceze dhe në klubin tim të mëparshëm. Ai po priste që unë të nënshkruaja kontratën dhe më dërgonte shpesh mesazhe duke më pyetur nëse po vija apo jo. Mezi pres të ribashkohemi dhe të luajmë së bashku.”

Iraola i dha besim

Barcola zbuloi se kishte zhvilluar disa biseda me trajnerin e Liverpoolit, Andoni Iraola, para transferimit.

“Ai më tha se cilësitë e mia i sjellin shumë këtij ekipi dhe se llogarit në mua. Më tha se ka besim tek unë. Kjo më bëri të dëshiroj të bashkohem me këtë skuadër, sepse kur ke besimin e trajnerit, mund të jesh vetëm më i mirë në fushë.”

Francezi gjithashtu deklaroi se është gati të luajë sa më shpejt.

“Kam punuar shumë gjatë pushimeve dhe kam bërë gjithçka që mundem për të qëndruar në formë. Ndihem gati që tani. Mendoj se trajneri dhe stafi mjekësor do të marrin kohën e nevojshme, por sinqerisht mendoj se jam gati për ta ndihmuar ekipin sa më shpejt.”

Pse zgjodhi numrin 29?

Barcola do të mbajë fanellën me numrin 29, një numër që sipas tij ka një domethënie të veçantë.

“Është numri im i preferuar. Kur isha i vogël luaja EA FC dhe i kisha premtuar vetes se do ta kisha këtë numër me Alex Hunter. Në fund pata fatin ta kem dhe shpresoj ta mbaj gjatë gjithë karrierës.”

Ëndrra e madhe: titulli në Premierligë

Me Liverpoolin, Barcola synon trofe të mëdhenj dhe veçanërisht titullin e Premierligës.

“Shpresoj të arrij gjëra shumë të mëdha. Para së gjithash, të fitoj Premierligën – është një prej ëndrrave të mia më të mëdha në jetë. Dua ta bëj këtë dhe të qëndroj për një kohë të gjatë në këtë ekip. Prandaj nënshkrova një kontratë të gjatë.”

Në fund, Barcola kishte një mesazh për tifozët e Liverpoolit.

“Do të jap gjithçka për këtë ekip. Faleminderit që më pranuat në një klub kaq të madh dhe që na mbështesni. Shpresoj t’ju bëj krenarë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *