June 2026
M T W T F S S
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930  
June 3, 2026

Ballkani gabon, Drita shkëputet, Drenica mposht Llapin në “Zahir Pajaziti”

Drita ka shënuar fitore shumë të rëndësishme me përmbysje të rezultatit ndaj Ferizajt, në kuadër të javës së 28-të në Albi Mall Superligë, duke triumfuar 2:1 në shtëpi. Mysafirët kaluan të parët në epërsi në minutën e 18-të, kur Kushtrim Shabani realizoi pas një harkimi që përfundoi në rrjetë, duke befasuar portierin Faton Maloku.

Reagimi i vendasve ishte i menjëhershëm. Në minutën e 36-të, Vesel Limaj barazoi me një supergol nga distanca, duke rikthyer baraspeshën. Në pjesën e dytë, Drita rriti presionin dhe në minutën e 82-të arriti golin e fitores, kur Liridon Balaj u tregua i saktë para portës për rezultatin përfundimtar 2:1.

Me këtë fitore, Drita forcon pozitën e parë në tabelë, duke krijuar një diferencë prej pesë pikësh ndaj ndjekësit më të afërt, Ballkanit. Ky i fundit  ka lëshuar dy pikë të rëndësishme në garën për titull, pasi u ndal në barazim 1:1 në shtëpi nga Gjilani. Skuadra nga Suhareka kaloi në epërsi herët, me golin e Almir Kryeziut në minutën e 11-të. Ndeshja u karakterizua nga ritëm i lartë dhe raste nga të dyja skuadrat, por pa konkretizim deri në minutat e fundit. Kur gjithçka dukej se po përfundonte me fitore të Ballkanit, Armend Thaqi realizoi në minutën e 90-të ndaj ish-skuadrës së tij, duke siguruar një pikë të rëndësishme për skuadrën e drejtuar nga Debatik Curri, e cila tani ngjitet në pozitën e tretë me 43 pikë.

Në ndeshjen tjetër, Drenica ka marrë tri pikë shumë të vlefshme në luftën për mbijetesë, duke mposhtur Llapin me rezultat minimal 1:0 në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Skuadra nga Skenderaj ishte më kërkuese gjatë gjithë takimit dhe gjeti golin e fitores në minutën e 70-të, kur Kreshnik Uka realizoi pas një aksioni të ndërtuar mirë.

Pas kësaj fitoreje, Drenica arrin në kuotën e 32 pikëve, aq sa ka edhe Llapi, duke e bërë edhe më të fortë garën për mbijetesë në elitën e futbollit kosovar.

Dje Prishtina e Re triumfoi ndaj Malishevës, duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë, ndërsa nesër zhvillohet ndeshja e fundit e kësaj jave, ku ballafaqohen Prishtina dhe Dukagjini.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *