Astrit Fazliu nis sot punën te KF Lepenci, klubi kuqezi synon rikthimin në Ligën e Parë
Skuadra e futbollit KF Lepenci ka nisur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri në Ligën e Dytë, me Astrit Fazliun si trajner të ri. Ish-futbollisti dhe tekniku nga Kaçaniku do ta udhëheqë stërvitjen e parë sot, nga ora 18:00, duke hapur kështu kapitullin e radhës në historinë e klubit kuq e zi.
Pas përfundimit të sezonit të kaluar, drejtuesit e klubit, nën udhëheqjen e kryetarit Jenuz Bela, kanë nisur punën me qëllimin e vetëm: rikthimin në Ligën e Parë. Për të arritur këtë synim, në klub ka pasur ndryshime të mëdha – fillimisht me emërimin e Fazliut në krye të pankinës, e më pas me angazhimin e 10 përforcimeve të reja deri më tani, me qëllim krijimin e një skuadre më cilësore dhe konkurruese.
Nga komunikimi i klubit, bëhet e qartë se objektivi për sezonin vjeshtor është i padiskutueshëm – inkuadrimi në Ligën e Parë. Me ndryshimet që kanë ndodhur brenda një kohe të shkurtër, drejtuesit e Lepencit kanë vendosur ta marrin me shumë seriozitet këtë edicion dhe të garojnë si pretendentë për ngjitje.
Ndryshimet në klub kanë rritur edhe entuziazmin te tifozët dhe dashamirët e ekipit, derisa pritshmëritë janë të mëdha. KF Lepenci, një ndër klubet më me traditë në futbollin kosovar, synon që përmes një projekti serioz të rikthehet aty ku e ka vendin – në nivelet më të larta të garave. Këtë e meritojnë “Fikshat” dhe Kaçaniku.
